Raisi, Putinit: Bashkëpunimi i forcon shtetet e sanksionuara nga SHBA-ja

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, i ka thënë të enjten homologut të tij rus, Vladimir Putin se bashkëpunimi mes shteteve të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara, i bën ato edhe më të “fuqishme”.

“Marrëdhënia në mes të shteteve që janë të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara, sikurse Irani, Rusia, dhe shtetet tjera, mund të tejkalojë shumë probleme dhe t’i bëjë ato më të fuqishme”, ka thënë Raisi në një takim me Putinin në Uzbekistan.

“Amerikanët mendojnë se cilido shtet që e sanksionojnë, ia ndalin hovin, por përshtypja e tyre është e gabuar”.

Raisi ka thënë se shteti i tij është “seriozisht i vendosur për të zhvilluar marrëdhënie strategjike bilaterale” me Rusinë në fushën e politikës, ekonomisë, tregtisë dhe hapësirës ajrore.

Ky është takimi i dytë mes Raisit dhe Putinit në dy muajt e fundit, pasi presidenti rus ka vizituar Teheranin më 19 korrik.

Putin po ashtu ka mbështetur forcimin e lidhjeve me Republikën Islamike të Iranit, duke thënë se “në nivel bilateral, bashkëpunimi është duke u zhvilluar në mënyrë pozitive”.

Ai ka shtuar se puna për një traktat mes dy shteteve, me qëllim të forcimit të lidhjeve, është afër kompletimit, dhe se Moska do të dërgojë një delegacion biznesor në Iran javën e ardhshme për të zhvilluar lidhje tregtare.

“Ne jemi duke bërë gjithçka për ta bërë Iranin anëtar të plotë të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim”, ka shtuar Putin, si referencë për anëtarësimin e Teheranit në këtë grup që përfshin, Kinën, Rusinë, Indinë, Pakistanin dhe katër shtetet të Azisë Qendrore, që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Irani, një prej katër shteteve vëzhguese në këtë organizatë, ka aplikuar për anëtarësim të plotë më 2008, mirëpo diçka e tillë i është vështirësuar pas përballjes me sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve te Bashkuara, për shkak të programit bërthamor.

Shumë vende anëtare të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, nuk kanë dashur në mesin e tyre një shtet të sanksionuar./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu