Nga Lezha ku prezantoi kandidatët për deputetë në këtë qark, kryeministri Edi Rama thumboi opozitën duke deklaruar se LSI është problemi më i madh i këtij vendi dhe i politikës shqiptare. Rama tha se Basha nuk është problem, por është lidhur me zinxhirët e Monikës pasi është marrë peng nga Ilir Meta dhe Sali Berisha. Ai tha se nuk ka asnjë parti më të mirë se partia socialiste që mund të qeverisë vendin.
“Skuadra e Monikës është problemi i madh i vendit tonë dhe jetës sonë politike. Problem i madh i vetë politikës shqiptare. Këto zgjedhje janë mes të ardhmes dhe të shkuarës, mes takës progresive dhe taksës së sheshtë, mes rilindjes urbane që duhet të vazhdojë edhe më thellë në zonat rurale të vendit dhe anti-qytetarisë në planifikim dhe ndërtim. Është zgjedhje mes shëndetësisë që duam dhe asaj që kishim.
Por është zgjedhje mes drejtësisë së re dhe Ilir Metës. Kush zgjedh sidomos LSI zgjedh Ilir Metën dhe jo drejtësinë dhe duke qenë se Ilir Meta është gati të japë dorëheqjen pas 25 Prillit siç ka thënë në rast se fitojmë ne dhe ne do fitojmë ky është rasti për të çliruar vendin nga ky njeri që ka marrë peng presidencën dhe kushtetutën duke shpërfytyruar rolin e kushtetutës. Basha nuk është rrezik për demokracinë dhe problem i këtij vendi, por kukull në duart e Ilir Metës dhe Sali Berishës që e kanë lidhur me zinxhirët e Monikës dhe e kanë rrethuar me një tabor krushqit të uritur. Dhe është një kukull që nuk argëton askënd, përkundrazi nuk i duhet askujt.
Edhe në këtë sens, besoj që është koha për të bërë një zgjedhje për familjen, për qytetin, për fshatin, për vendin e punës të secilit në sensin që duhet një zgjedhje për të shkuar përpara, për të rritur pagat, për të rritur tatimin mbi fitimin. Nuk kemi alternativë qeverisëse më të mirë se Partia Socialiste. Jemi të vetëdijshëm që jemi më të mirët në këtë vend por jo më të mirët e mundshëm për këtë na duhet të reflektojmë rrënjësisht. Dua t’i siguroj ata që na ndjekin nga ky qark.
Më të keqen e kemi lënë pas dhe më të mirën e kemi përpara për Lezhën dhe të gjithë Shqipërinë. Ne jemi këtu për punë të vështira. Nuk i bën dot asnjë tjetër punët e vështira. Nuk i bëjnë dot punët e vështira ata që kanë punuar vetëm për vete. Ashtu sikur ne bëmë të nesërmen e tërmetit për shërimin e plagës që vazhdon përditë e përditë. Nuk do ketë më asnjë gjurmë pranverën e vititn që vjen. Ne do bëjmë të pamundurën për daljen nga tuneli i luftës në të njëjtën kohë me BE”, tha Rama.









