Kryeministri Edi Rama ka vizituar para 5 ditësh shtëpinë e një banori të Qarkut të Kukësit, i cili jetonte në kushte të rënda ekonomike.
Në një video të publikuar nga kryeministri shqiptar, tregon se vizita ishte realizuar në shtëpinë e Bashkim Sefës, më 31 tetor, shkruan gazetametro.
Kryeministri duke përqafuar fëmijët e Bashkim Sefës e ka komentuar shtëpinë dhe ka premtuar se Viti i Ri këtë familje do të gjejë me shtëpi të re.
“Fëmijët të rrojnë dhe të kenë jetë të gjatë. Edhe për shtëpinë do të bëjmë çmos ta kapim Vitin e Ri. Në shtëpi të re do ta prisni Vitin e Ri”, ka thënë kryeministri.
Ndërkaq, ai ka premtuar se do të angazhohet që Bashkim Sefës t’i gjejë një punë që do t’i sillte një rrogë në shtëpi.
“Ne do ta zgjidhim shumë shpejt. Fillimisht me një punë që të vijë rroga në shtëpi”, ka deklaruar Rama.
Mirëpo, kryeministri i njohur për batuta, nuk e lëshoi as këtë rast. Kur e mori vesh nga gruaja e Bashkim Sefës se priste një fëmijë tjetër që vinte në jetë në qershor, ai tha se “fëmija tjetër do të vijë me çek në shtëpi”.
“Ai fëmija tjetër do të vijë me çek në shtëpi, pasi ne do të japim 1200 dollarë për çdo fëmijë të lindur në Shqipër”, shtoi Edi Rama.
Në të dalur nga kjo shtëpi, i pari i Qeverisë i tha Bashkim Sefës se “të jap fjalën se së shpjeti do të vijmë të dy në këtë vend, tek shtëpia e re”./gazetametro










