​Rama “këshillon” Kurtin për të dalë nga kurthi i lojës “macja me miun” me Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka këshilluar homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti për të dalë nga kurthi i lojës “macja me miun” me Serbinë.

Duke folur nga tryeza ndërkombëtare për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, kreu i qeverisë shqiptare tha se Prishtina rrezikon të mbetet pa miq nëse përdor politikën e jashtme për të marrë vota brenda vendit.

“Sot, ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar dhe në këndvështrimin tim, – meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, – nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë “macja me miun” në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Evropian duke thënë “ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi më çfarë flasim, ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Evropian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të Bashkimit Evropian dhe për t’u afruar me ju”, theksoi ai.

Sipas tij, “Pastaj, se çfarë bën Serbia është puna e Serbisë, shkoni e merruni me Serbinë”, po ky konfrontimi “macja me miun” në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme kuptohet, këto nuk të çojnë asgjëkund”.

“…Ky konfrontimi “macja me miun” në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dale pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme kuptohet, këto nuk të çojnë asgjëkund dhe unë nuk e kuptoj dhe nuk kam për ta kuptuar asnjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten, në raport me standardet e një vendi që kërkon të hyjë në NATO, kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian me se çfarë bën e çfarë s’bën, e çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë’, theksoi ai.

Ai ka thënë se Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën.

“Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën, por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën ku të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar bashkë me të tjerët në komunitetin e shteteve dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme, jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme por edhe ku në një farë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme. E thashë dhe më parë, ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla, ne nuk jemi kërthiza e botës dhe sa herë kemi menduar që jemi kërthiza e botës, e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si “trimi i mirë me shokë shumë” dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe investimin e shumë të tjerëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe miqve tanë ndërkombëtarë në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur. Kështu që në këtë sens për t’iu përgjigjur pyetjes se si e shoh Kosovën sot, Kosova është shumë e bukur, Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe Kosova nuk ka pse të humbë kohë, duke vrapuar rreth vetes vet”, tha ai.

Rama ndër të tjera ka thënë se krisja e raporteve në mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtar, herët a vonë do të jetë i kushtueshme.

“Siç thoshte mësuesi im Rolan Bard politika fillon me një dëshirë dhe pasion dhe pastaj ajo kthehet në veprim. Kështu fliste ati themelues i Kosovës së lirë të pavarur e demokratike i bindur se në arenën e lojës së madhe politike, kalorësit e idealeve duhet të zbresin në tokën e llogarive strategjike. Se aleatët dhe albitrat e jashtëm kanë po aq rëndësi sa vullneti i brendshëm, se dogmatizmi dhe kryelartësia provinciale herët apo vonë kthehet në një ndëshkim shumë të kushtueshëm për popujt e udhëhequr me arsyen e pasionit dhe jo pasionin e arsyes“, tha ai.

Analistët vlerësojnë se raportet mes dy kryeministrave të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë duket se nuk kanë lëvizur pozitivisht./KP


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu