“Me mua si kryeministër Kosova do të bëhet si Singapori”, kjo është fjalia që pushtoi dje mediat në Kosovë e që doli nga goja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një ceremonie të inaugurimit të një pjese të Rrugës A në Prishtinë.
Rama ka rritur ambiciet e tij duke synuar tashmë postin e kryeministrit të Kosovës nga kolltuku i të parit të kryeqytetit. Por shigjetat e tij vazhdimisht janë kundër pushtetit aktual të kryeministrit Albin Kurti.
“Do të ishte më e lehtë nëse s’do të na bllokonin e sabotonin. E me na ndihmu paramendojeni se çka do të bënim. Do të bënim vend fenomenal. Vetëm duhet një qeveri bashkëpunuese e jo sabotuese. Si kryeministër, synojmë që Kosova të jetë si Singapori apo si vendet e zhvilluara sepse kemi rini të mrekullueshme, potencial të mrekullueshëm të zhvillimit. Mundemi ta bëjmë, vetëm duhet mendësi zhvillimi e jo që të merremi me të kaluarën e t’ia lëmë fajin tjetërkujt. Për kryeministër, çka them e bëj”, ka deklaruar ai.(INA)










