Rama u është drejtuar qytetarëve që të refuzojnë zyrtarët që u kërkojnë certifikata për të kryer shërbime. Ai tha ndër të tjera se çdo zyrë shteti ka detyrë ta nxjerrë certifikatën online. Ky apel i hapur ishte për zyrtarët, të cilët nuk duhet të dalin nga zyra pa kryer shërbimin e duhur.
“Nga ana tjetër, do të vazhdojmë me lehtësimin e procesit të peshës burokratike, duke vazhduar të heqim detyrime për njerëzit që marrin dokumente në lloj-lloj zyrash. Sot, një sërë dokumentesh duke filluar nga certifikata janë hequr si barrë për njerëzish, edhe pse akoma vazhdon prodhimi i certifikatave.
Unë u bëj thirrje qytetarëve që ta refuzojnë këtë kërkesë. Çdo zyrë shteti ka detyrë ta nxjerrë certifikatën online. U them njerëzve që çdo zyrtari që thotë ku e ke certifikatën, t’i thotë ndize kompjuterin dhe nxirre ti aty, dhe të mos paguajnë asnjë kokërr leku më dhe të mos dalë nga zyra pa kryer shërbimin, në qoftë se nuk kanë certifikatë.
Është detyrë e çdo zyre shteti që ta nxjerrë certifikatën nga port @Albania. Është një kërkesë e paligjshme, sepse ne e kemi hequr si detyrim. Dhe po kështu janë edhe një sërë dokumentesh të tjera që ua kemi lënë barrë zyrave të shtetit.
Ne kemi bërë një inventar të të gjithë licencave, dokumenteve, vërtetimeve, etj, ku gjatë këtij 100 ditëshi, do të ketë një reduktim drastik edhe të vetë numrit të tyre. Kjo do të lehtësojë marrëdhëniet e njerëzve me shtetin.
Sot vetëm për certifikata janë 4.5 mln kontakte në vit të qytetarëve me zyrat e shtetit për të marrë vetëm një certifikatë. Një skandal i papranueshëm. Vendet me demokraci të rënduar kanë më shumë korrupsion”.










