Disa media në gjuhën serbe, mes tyre Euronews, B92 dhe Mondo, kanë publikuar lajmin se ka vdekur Ratko Mlladiq, i cili po vuante dënim të përjetshëm me burg në Hagë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, përcjell TV21. Lajmi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Gjykata në Hagë, ndërsa nuk është konfirmuar as nga mediat dhe agjencitë ndërkombëtare.
Ndryshe, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë së fundmi hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes së Mlladiqit për lirimin e tij të parakohshëm ose transferimin në Serbi për trajtim mjekësor, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Kryetarja e gjykatës, Graciela Gati Santana, vlerësoi se nuk ka bazë të mjaftueshme për një masë të tillë të jashtëzakonshme, duke theksuar se ai merr të gjithë kujdesin e nevojshëm mjekësor në njësinë e paraburgimit në Hagë.
Mlladiqi u dënua nga Tribunali i Hagës për 10 nga gjithsej 11 pikat e aktakuzës dhe u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Trupi gjykues konstatoi se ai ishte pjesëmarrës kyç në katër ndërmarrje të përbashkëta kriminale, që kishin për qëllim largimin e përhershëm dhe me dhunë të boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Krimet për të cilat u shpall fajtor ndahen në katër kategori kryesore. Njëra prej tyre është gjenocidi në Srebrenicë, ku u konstatua përgjegjësia e tij për organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes së më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Gjykata konstatoi gjithashtu se Mlladiqi kishte qëllim të drejtpërdrejtë për shkatërrimin e popullsisë boshnjake në këtë enklavë, gjë që u cilësua si gjenocid.
Në qershor të vitit 2021, Këshilli i Apelit në Hagë konfirmoi dënimin përfundimtar me burgim të përjetshëm për Mlladiqin për gjenocidin në Srebrenicë, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.










