Rashicën e pret një sezon i jashtëzakonshëm

Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt pret kontribut të madh nga ylli kosovar edhe sezonin e ardhshëm

Werder Bremeni pret një sezon tjetër të jashtëzakonshëm nga Milot Rashica, shkruan Gazeta Express.

Futbollisti kosovar në pjesën e dytë të edicionit të fundit bëri paraqitje të shkëlqyeshme, ndërsa më pas u zgjodh lojtari më i mirë i sezonit.

Tash, trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt beson se 23 vjeçari e ka përpara një vit tjetër të madh.

Ai është i bindur se “Raketa”, siç e quan ai, do të jetë përsëri protagonist në ekipin gjelbër e bardhë.

“Miloti është zhvilluar shumë. Në përgatitje kemi mundur ta shohim se ka diçka ndryshe dhe të veçantë në lojën e tij”, ka thënë Kohfeldt.

Trajneri gjerman shton se Rashica e ka mësuar mjaft mirë gjuhën gjermane, faktor të cilin e konsideron si mjaft të rëndësishëm.

Miloti është integruar tërësisht në skuadrën nga Bundesliga dhe nga ai tifozët presin gjëra të mëdha.

“Mendoj se ai është i kënaqur dhe në gjendje të mirë me disponim. Kjo është ajo që dua ta shoh në fushë. Miloti mund ta vendosë i vetëm lojën me një aksion. Kjo është një aftësi që nuk e kanë shumë lojtarë. Sjellja e tij në fazën defanzive është jashtëzakonisht e mirë për një lojtar ofanziv”, nënvizoi Kohfeldt.

Rashica i kishte realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 5 asistime me Werderin në Bundesliga.

Ai kishte eksploduar në pjesën e dytë të sezonit.

Ndërkohë, trajneri i tij është optimist se Rashicës do t’i shkojë mirë sezoni 2019/2020 që nga fillimi dhe se futbollisti kosovar do t’i përmirësojë statistikat e tij.

“Këtë sezon do ta kalojë një sezon jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne”, përfundoi Kohfeldt.

Werderi do ta nisë sezonin e ri të Bundesligës të shtunën me ndeshjen ndaj Fortuna Dusseldorfit, e cila fillon në orën 15:30.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu