Në Shqipëri nuk ndalen reagimet pas paralajmërimeve nga ana greke se kufiri detar në Detin Jon do ta zgjerojnë për 6 deri 12 milje. Sot reagoi shefi i shtetit Ilir Meta, ndërsa sërish me reagim u paraqit edhe kryeministri Rama. Meta nga Vlora ku mori pjesë në solemnitet tha se deri në fund do të qëndrojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Shqiptarët duhet të jenë të sigurt se Presidenti gjithmonë do ta mbrojë Kushtetutën. Për çështjen përkatëse, ai do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe këtë duhet ta bëjnë të gjitha institucionet”, deklaroi Meta gjatë qëndrimit në Vlorë.
Duke e përdorë thënien latine, kryeministri Rama reagimin e pasdites në Fejsbuk e filloi me fjalinë “padituria nuk është argument”, ndërsa për pëlqimin e pretenduar të qeverisë së tij për lëshim të një pjese të detit shqiptar e quan lajmë të rremë.
“Deformimi skandaloz që iu bë asokohe një deklarate publike të Ministrit të Jashtëm grek Dendias. Ne nuk e përdorim fuqinë në dëm të interesit kombëtar. Kufiri detar nuk është si gardhi midis dy shtëpive dhe kur autoritete greke do të thonë se do të zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk do të thotë se Greqia do t’i okupojë ujërat territoriale shqiptare, se shteti fqinj thjesht e realizon të drejtën që del nga Konventa për ligjin për det, të miratuar në vitin 1982”, ka shkruar mes tjerash kryeministri. Në fund të reagimit garanton se partia e tij asnjëherë nuk ka punuar në dëm të interesit kombëtar.
“Unë dhe Partia Socialiste, mund të kemi shumë të meta, mund të bëjmë plot gabime, por kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar! Ky virtyt e ka karakterizuar këtë parti qysh ditën e lindjes së saj dhe ndryshe nga të tjerët, të cilët nga padituria a babëzia ose nga të dyja bashkë, e kanë cenuar më shumë se njëherë interesin kombëtar në këto 30 vjet pluralizëm demokratik”, porositi Rama.
Me këtë indirekt e kritikoi opozitën aktuale Partinë Demokratike, e cila ishte në pushtet në prill të vitit 2009 shefat e atëhershëm të diplomacive të të dyja vendeve, Lulzim Basha dhe Dora Bakojani, në prani të kryeministrave Sali Berisha dhe Kostas Karamanlis, në Tiranë e nënshkruan marrëveshjen për kufirin detar dhe për demarkacionin e kufirit. Por, Gjykata Kushtetuese vitin e ardhshëm e shpalli marrëveshjen për jo kushtetuese.
Në reagimin e parë të mbrëmshëm, megjithatë, Rama tha se “deri dhe toka nuk dhurohen si rroba” dhe i porosit të gjithë para se të komentojnë për tema të tilla dhe të mbrohen nga gënjeshtrat e mëdha, të ulen, lexojnë, të informohen.










