Reagon ministri i Jashtëm çek: Nuk e ndryshojmë qëndrimin për pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, gjatë qëndrimit në Beograd, ka thënë se do të diskutojë me zyrtarët kushtetues çekë, mundësinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Këtë deklaratë Zeman e bëri këto në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Shteti, i udhëhequr nga kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike”, tha Zeman, duke iu referuar Kosovës.

Lidhur me këtë, ka reaguar ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Tomáš Petříček.

Përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se qeveria e çeke nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës.

“Qeveria çeke, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për Kosovën ose ndonjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar ministri çek në Twitter.

Ndërkaq, kryetari i Senatit çek, Jaroslav Kubera, tha se ideja e presidentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës, është joreale.

“Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, tha Kubera për portalin çek iDnes.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu