Real Madrid kërkon yllin e Serisë A për të dalë nga kriza, transferimi në janar

Mungesa e golave po çon drejt një krize skuadrën e Real Madrid, e cila u mund 1-0 nga Alaves në minutën e fundit në ndeshjen e luajtur të shtunën në mbrëmje në La Liga. Një situatë aspak e mirë për skuadrën “merengues”, që ka dy javë kohë për të pushuar, por edhe trajneri Lopetegui ka 14 ditë kohë për të riorganizuar idetë e tij. Kriza e sulmit po dikton në këtë sezon te Reali, që ende nuk e ka kapërdirë ngërçin pas largimit të Cristiano Ronaldo.

Por nëse portugezi udhëtoi nga Madridi drejt Torinos, për të luajtur me Juventusin, një sulmues tjetër mund të udhëtojë në kahun e kundërt. Sipas të përditshmes spanjolle “Don Balon”, argjentinasi Paolo Dybala mund të transferohet që në janar te Reali, që kërkon me ngulm një sulmues të mirëfilltë për të dalë nga kriza. Bale nuk po bind e po ashtu Benzema, ndaj ardhja e Dybala mund të sjellë sërish qetësinë te skuadra.

Dybala ka qenë në formë në ndeshjet e fundit për Juventusin, ka shënuar 3 gola në Champions League dhe po ashtu një herë në kampionat, por pas pushimit 2-javor ai mund të ulet sërish në stol, siç ka ndodhur në javët e para. Për këtë arsye, duke qenë se nuk ka shumë hapësira, ai mund të shitet që në janar dhe Reali është gati ta afrojë, natyrisht duke paguar një shumë të majmë në arkën e bardhezinjve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu