Juventusi rrezikon të përballet me pasoja të mëdha nëse dështon të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Sipas La Gazzetta dello Sport, “Zonja e Vjetër” aktualisht mban vendin e katërt në Serie A, vetëm një pikë përpara Romës, dhe nuk ka hapësirë për gabime në tre ndeshjet e mbetura.
Mungesa e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve do të kishte ndikim të dyfishtë për klubin torinez, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë sportiv.
Një skenar i tillë do ta vështirësonte afrimin e lojtarëve cilësorë në afatin kalimtar, ndërsa gjithashtu mund ta detyronte klubin të shqyrtojë shitjen e disa prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Pozicioni i drejtorit të përgjithshëm, Damien Comolli, raportohet të jetë në rrezik serioz dhe një dështim për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve mund të çojë në largimin e tij.
Një tjetër emër që mund të largohet është talenti i ri Kenan Yildiz, i konsideruar si një nga shtyllat e projektit afatgjatë të klubit, pavarësisht se rinovoi kontratën në muajin shkurt.
Real Madridi vazhdon të mbetet admirues afatgjatë i sulmuesit turk, i cili këtë sezon ka regjistruar 11 gola dhe 10 asistime, duke tërhequr vëmendjen e gjigantëve evropianë. /Telegrafi/












