Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela nëpërmjet një postimi në Twitter ka bërë të ditur dy kategoritë e refugjatëve afganë që do të strehohen në Kosovë.
Vela ka treguar se Kosova do të ofrojë strehim për afganët që janë pjesë e programit të Vizave Speciale të Imigrimit dhe Programit të Pranimit të Refugjatëve në SHBA sipas Përcaktimit të Prioritetit 2.
Ai ka thënë gjithashtu se Kosova po punon ngushtë me SHBA’të për të finalizuar detajet e këtij operacioni humanitar.
“Kosova do të ofrojë strehim të përkohshëm për afganët që janë pjesë e programit të Vizave Speciale të Imigrimit dhe Programit të Pranimit të Refugjatëve në SHBA sipas Përcaktimit të Prioritetit 2. Kosova po punon ngushtë me SHBAt-ë për të finalizuar detajet e këtij operacioni humanitar”, tha Vela.
Vlen gjithashtu të theksohet se qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhje ku do të diskutohet për këtë çështje.









