Sipas një raportimi të agjencisë Reuters, Arabia Saudite ka kryer sulme ajrore të papublikuara më herët ndaj Iranit, si kundërpërgjigje për sulmet që Teherani kishte realizuar në territorin saudit gjatë luftës në Lindjen e Mesme, përcjell TV21.
Dy zyrtarë perëndimorë dhe dy zyrtarë iranianë kanë deklaruar se sulmet saudite janë kryer nga Forcat Ajrore Saudite në fund të muajit mars. Njëri nga zyrtarët i përshkroi ato si “sulme hakmarrëse” pas goditjeve që Arabia Saudite kishte pësuar më herët.
Reuters thekson se kjo është hera e parë që dihet publikisht se Arabia Saudite ka ndërmarrë drejtpërdrejt veprime ushtarake në territorin iranian, duke treguar një qasje më të ashpër ndaj rivalit të saj rajonal.
Agjencia nuk ka mundur të konfirmojë objektivat specifike të sulmeve, ndërsa Ministria e Jashtme saudite dhe ajo iraniane nuk kanë komentuar drejtpërdrejt pretendimet.
Raporti vë në dukje se lufta 10-javore në rajon, e nisur pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, ka përfshirë më gjerësisht Lindjen e Mesme nga sa është bërë publike deri tani.
Sipas Reuters, Irani ka goditur të gjashtë shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit me raketa dhe dronë, duke sulmuar baza ushtarake amerikane, aeroporte, objekte civile dhe infrastrukturë nafte, si dhe duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit.
Në raport përmendet gjithashtu se edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer sulme ndaj Iranit, sipas Wall Street Journal, çka tregon se shtetet arabe të Gjirit kanë filluar të kundërpërgjigjen ushtarakisht ndaj Teheranit.
Burimet e Reuters shtojnë se pas sulmeve saudite ka pasur kontakte intensive diplomatike mes Riadit dhe Teheranit, si dhe kërcënime për hakmarrje të mëtejshme, gjë që ka çuar në një mirëkuptim për uljen e tensioneve mes dy vendeve.










