Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit politike në vend dhe jo vetëm, Profesor Rexhep Qosja, situatën aktuale politike në Shqipëri e ka konsideruar si ‘vrasje e Parlamentarizmit’.
Përgjatë një interviste për Gazeta Shqiptare, Qosja ka deklaruar se PD dhe LSI, kryetari i të parës dhe kryetarja e të dytës, po bëjnë çmos që të delegjitimojnë Kuvendin.
Qosja është ndalur në ngjarjet më të bujshme të vitit që lamë pas, nga çështja e Saimir Tahirit te ish-Prokurori i Përgjithshëm, nga Vetting-u te opozita PD-LSI.
Më poshtë, një pjesë e intervistës:
Profesor, në këtë mandat të dytë të qeverisë Rama, çfarë duhet të ketë përparësi?
Sipas mendimit tim e kjo do të thotë sipas mendimit të një intelektuali, të një qytetari të zakonshëm, që nuk ka lejuar dhe nuk lejon të privohet nga e drejta për të shprehur mendimin ndaj të mirave e të këqijave që bëjnë strukturat politike e shtetërore, qeveria në krye me Edi Ramën ka dy detyra që mund të quhen parësore.
Detyra e parë është krijimi i kushteve politike, ligjore, shtetërore për sundimin e drejtësisë, domethënë për institucionalizimin e plotë, të gjithanshëm të shtetit të së drejtës.
Njëra prej përpjekjeve të mëdha, por jo të vetme, për sendërtimin e kësaj detyre është realizimi i Vettingut.
Detyra e dytë është krijimi i kushteve politike, ligjore, shtetërore për zbutjen, zvogëlimin, parandalimin e pabarazisë sociale, që sjell të keqe të madhe në shoqëri, që sjell pasiguri sociale, dëshpërim, zhvendosje sidomos të rinisë në botë të jashtme.










