Ridorëzohet kërkesa: Lëvizja e Studentëve Shqiptarë insiston që provimet shtetërore të mbahen edhe në shqip

Parlamenti Studentor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) ka dorëzuar sot në Ministrinë e Drejtësisë një kërkesë zyrtare për mundësimin e zhvillimit të Provimit të Jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale edhe në gjuhën shqipe.

Në njoftimin e publikuar, studentët bëjnë të ditur se kërkesa i është dorëzuar ministrit të ri të Drejtësisë, me shpresën se ai do ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe do të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e saj.

“Sot, në emër të Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, dorëzova pranë ministrit të ri të Drejtësisë kërkesën për zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale edhe në gjuhën shqipe. Shpresojmë që, me marrjen e kësaj përgjegjësie të re, ministri t’i kushtojë kësaj çështjeje vëmendjen e duhur dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt zgjidhjes së drejtë të saj”, thuhet në reagim.

Studentët theksojnë se qëndrimi i tyre ka qenë i pandryshuar që nga fillimi: garantimi i mundësive të barabarta për të gjithë studentët dhe respektimi i plotë i të drejtave gjuhësore.

“Kjo nuk është çështje politike. Është çështje e barazisë, e respektimit të ligjit dhe, mbi të gjitha, e të drejtave të studentëve”, thuhet më tej në njoftim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu