Rifillon lufta: Irani godet me raketa dhe dronë Emiratet Arabe, alarm edhe në Dubai

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lëshuar një alarm të ri sigurie pasi sistemet e mbrojtjes ajrore reaguan ndaj një kërcënimi me raketa, njoftoi Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Emergjencave, Krizave dhe Fatkeqësive.

Ky është alarmi i dytë brenda pak orësh dhe vjen në një moment të ndjeshëm, pasi ishte ndër të parët që nga hyrja në fuqi e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve bëri të ditur se katër raketa u lëshuan nga Irani drejt territorit të saj. Sipas deklaratës, tre prej tyre u interceptuan me sukses nga sistemet mbrojtëse, ndërsa një tjetër ra në det pa shkaktuar dëme të raportuara.

Ndërkohë, situata u përshkallëzua më tej pas një sulmi me dron që shkaktoi një zjarr të madh në një objekt industrial të naftës në Fujairah. Zyra e mediave lokale konfirmoi se flakët shpërthyen pas goditjes së objektit, duke ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturës energjetike në rajon, përcjell A2CNN.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi viktima apo dëme të plota materiale, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar për të vënë situatën nën kontroll.

Ngjarjet e fundit tregojnë një rritje të tensioneve në rajon, duke ngritur frikën për përshkallëzim të mëtejshëm pavarësisht përpjekjeve për armëpushim.

Një alarm urgjent sigurie ka shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve të Dubai, kur mijëra qytetarë morën një njoftim paralajmërues në telefonat e tyre celularë.

Mesazhi, paralajmëronte për një kërcënim të mundshëm me raketa, duke theksuar se “për shkak të situatës aktuale, ekziston mundësia e kërcënimeve me raketa”.

Autoritetet u bënë thirrje banorëve që të marrin masa të menjëhershme mbrojtëse dhe të kërkojnë strehim në ndërtesat më të afërta të sigurta.

Alarmi u shpërnda pak pas orës 17:00 dhe shkaktoi reagime të menjëhershme në mesin e qytetarëve, të cilët shprehën shqetësimin e tyre në rrjetet sociale për situatën e sigurisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu