Pa punë, pa para, pa shpresë për të ardhmen, ky realitet i dhimbshëm i shqiptarëve ka detyruar qindra të rinj nga të gjithë qytetet e Shqipërisë të emigrojnë jashtë dhe larg vendit.
Prej disa vitesh, të rinjtë shqiptarë kanë vetëm një ëndërrr: të emigrojnë me çdo kusht në Britaninë e Madhe.
I kthyer në vendin e ëndrrave, Anglia është destinacioni më i lakmuar për të cilin shumë të rinj shqiptarë të cilët kanë rrezikuar jetën duke udhëtuar për ditë të tëra: të zbadhur, pa ushqim dhe të ngujuar në kamione.
Albeu.com ka mundur të sigurojë një intervistë ekskluzive me një 20-vjecar nga Dibra, tashmë emigrant prej gati një viti në Angli.
I riu nga Dibra, i quajtur Ermir, tregon mes kujtimesh të gjitha detajet se si u nis për një jetë më të mirë dhe nuk u dorëzua për asnjë moment përballë vuajtjeve ç’njerëzore në portet e Spanjës.
Ermir, si nisi lindi dëshira për të udhëtuar drejt Anglisë?
Vendosa të ikja pasi nuk shikoja asnjë të ardhme në Shqipëri.
E vendosa dhe u largova nga Dibra drejt Durrësit me shpresën se do bëja para mjaftueshëm për në Greqi.
Fillova punë shitës në një karburant për katër muaj por paguhesha vetëm 200 mijë lekë të vjetra.
U shkëputa nga puna dhe ika në Greqi pa parë familjen.
Punova në ndërtim për 3 muaj me synimin që të bëja lek mjaftueshëm sa për të kaluar një muaj në tentativë për të ikur drejt Anglisë.
Pra, ti punove gjatë gjithë kohës për të ikur drejt Anglisë apo jo? A ishte dakord familja jote për këtë vendim?
Po, çdo përpjekje ishte që unë të bëja para mjaftueshëm dhe të ikja drejt Anglisë. Familja kishte frikë pasi isha vetëm por nuk kisha ndërmend të dorëzohesha.
Nga Greqia ika në 20 korrik të vitit 2017, në drejtim të Spanjës. Ishte udhëtimi im i parë në Europë. Nuk dija as gjuhën, thjesht një “cop anglishtjeje” që kisha mësuar në shkollë.
Isha vetëm, pa asnjë njeri, familja më merrte në celular dhe më kërkonin të kthehesha në shtëpi, duke mu lutur më thonin: “Kthehu bir, se je vetëm e s’din ku do të shkosh…”
Por s’i dëgjova, fika telefonin dhe s’kontaktova për 1 javë me asnjë person nga familja ime.
Arrita të gjej portin ku njoha edhe disa shqiptarë të tjerë.
Kaloi një javë duke tentuar 5 herë në ditë por asgjë, pa fat.
Me shpresë se njëri nga ne do të kalonte, mora në Spanjë edhe vëllain e vogël.
Kalonin ditën, tragetët iknin e vinin dhe ne shpresonim se një ditë do të ishim brenda atij trageti…
Sa ditë qëndruat në portin e Spanjës dhe si ia dolët të mbijetonit?
Qëndruam plot dy muaj. Dy muaj plot vuajtje, mungesë ushqimesh, veshjesh, cdo gjë. Rrezikova aq shumë saqë dy herë kam ikur me ambulancë nga porti drejt spitalit.
Mjekët më thonin që kisha mungesë ushqimi, gjumi dhe se duhej të kthehesha sa më parë në shtëpi. Por unë isha me mendimin se: “Ose në Angli ose vdekur në shtëpi”.
Kaluan muajt, me vëllain jashtë, shiu na zinte në gjumë por nga lodhja nuk e ndjenim fare.
Mbuloheshim me qese mbeturinash dhe rroba na jepnin disa banorë të fshatit. Deri sa erdhi dita ime.
Pas dy muajsh përpjekje, ju arritët të depërtoni në port dhe arritët shëndoshë e mirë në Angli. Si ndodhi?
Po, ishte data 7 shtator kur u zgjova si asnjë ditë tjetër në orën 9 të mëngjesit.
Isha me rroba të shkurtra, vëllai iku për të blerë bukë. Kisha vetëm nje shishe ujë 1.5 litra ndërsa bukë kisha ngrënë një ditë më parë.
Mora në telefon një shok dhe me shaka i them : “A do të vish për vrap?”
U futëm në port si turistë, dhe fati jonë që nuk na ndali policia. Hymë në një traget, e s’më besohej, më dukej si ëndërr.
Të dy së bashku u futëm në tragetin e kamionave që u nis në orën 8 pasdite.
U fshehëm në një kosh mbeturinash që gjendej në traget ku ishin edhe 7 persona të tjerë.
Vëllai po më kërkonte me bukë në dorë, ai s’e dinte që unë isha nisur.
Në orën 7 pasdite i shkruajta që jam nisur me traget drejt Anglisë.
Ikëm nga Spanja, unë isha me një bluzë me mëngë të shkurtra dhe një palë tuta.
Kisha shumë ftohtë dhe uri pasi s’kisha ngrënë bukë, por s’na zinte gjumi nga lumturia duke menduar se si do të jetonim në Angli.
Ditën e dytë, unë dridhesha nga i ftohti, shoku kishte shumë dhimbje koke.
Menduam edhe të dorëzoheshim vetë, por e mblodhëm mendjen pasi menduam se “jemi burra Dibre dhe dibranët nuk dorëzohen”.
Trageti zbarkoi në Poole, port i Anglisë dhe nga një vrimë shikonim që policia ishte në gatishmëri.
Ishim aq të lodhur saqë edhe një fëmijë po të na ndiqte do të ishim dorëzuar.
Aty kemi grisur kamionin dhe kemi ikur në drejtim të paditur vetëm për të ikur nga porti.
Ishim aq të lumtur kur shihnim target e makinave me krahë të lumtur sa çdo lodhje na kaloi si me magji.
Ti jeton prej gati një viti në Angli, si është jeta larg Shqipërisë?
Këtu është e ardhmja, pagesa është e mjaftueshme ndërsa puna është aq e lehtë sa mund të punojë kushdo dhe nesër të ngrihet prap me dëshirë për të ikur në punë. Jeta është shumë normale.
Pas një muaji në Angli erdhi edhe vëllai im. Jemi shumë të lumtur. /Zamira Kajaçi-albeu











