Roli i policëve maqedonas në arratisjen e Gruevskit, nisin hetimet

Për shkak të dyshimeve se persona të caktuar zyrtarë, duke e keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe autorizimet e tyre zyrtare i kanë mundësuar të dënuarit Nikolla Gruevski që në mënyrë ilegale të largohet nga Republika e Maqedonisë, Prokuroria ka filluar procedurë parahetimore.

“Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit duke ndjekur informacionet lidhur me arratisjen e të dënuarit. N.G. si dhe shkrimet në media dhe në interes të opinionit ka krijuar lëndë sipas zërave të thënë. Lidhur me këtë ngjarje ekzistojnë baza dyshimi se persona të caktuar zyrtarë, duke e keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe autorizimet e tyre zyrtare, i kanë mundësuar të dënuarit që në mënyrë ilegale të largohet nga Republika e Maqedonisë”, njoftoi Prokuroria Publike.

Lënda, siç citohet, i është dhënë prokurorit kompetent dhe në kuadër të procedurës parahetimore janë dhënë urdhëresa për grumbullimin e të dhënave lidhur me këtë ngjarje.

Ish kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, i cili duhej që të paraqitej për vuajtjen e dënimit dyvjeçar me burg për lëndë “Titanik”, nën ende rrethana të panjohura është arratisur në Hungari, ku ka kërkuar azil politik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu