Rugova paralajmëron kandidatura të reja për kreun e LDK-së: Gara pritet të jetë serioze

Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar se gara për kryetar të partisë do të përfshijë edhe kandidatë të tjerë, përveç atyre që tashmë kanë shpallur publikisht kandidaturat e tyre.

I ftuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Rugova ka përmendur Hykmete Bajramin, Përparim Ramën dhe Arben Gashin si tre emrat që deri më tani kanë bërë publike synimet për të marrë drejtimin e LDK-së.

Megjithatë, ai ka thënë se në garë pritet të përfshihen edhe kandidatë të tjerë, të cilët i cilësoi si figura serioze dhe kredibile, të lidhura me traditën politike rugoviane dhe me qasje unifikuese për të ardhmen e partisë.

“E di një gjë të sigurt: do të ketë edhe kandidatura të tjera, tepër të fuqishme dhe kredibile, që vijnë nga filozofia politike e LDK-së, nga brumi rugovian, që kanë kontribuar dhe e duan LDK-në”, ka deklaruar Rugova.

Ai ka shtuar se këta kandidatë synojnë ndërtimin e një platforme të re politike dhe, sipas tij, edhe të një programi të ri qeverisës që do të bashkonte strukturat dhe anëtarësinë e partisë.

Sa i përket mundësisë që presidentja Vjosa Osmani të jetë pjesë e garës, Rugova ka thënë se nuk ka informacione për qëndrimin e saj, pasi prej kohësh nuk është takuar me të.

Zgjedhjet e brendshme në LDK pritet të zhvillohen në një garë konkurruese për postin e kryetarit të partisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu