Tensioni i lartë i gjakut mund të jetë një nga shenjat e para të sëmundjes së veshkave, një problem që shpesh zhvillohet pa simptoma për një kohë të gjatë.
Sipas Fondacionit Kombëtar të Veshkave, lidhja mes tensionit dhe shëndetit të veshkave është e dyanshme.
Presioni i lartë i gjakut dëmton enët e vogla që filtrojnë gjakun, ndërsa veshkat e dëmtuara nuk arrijnë të largojnë siç duhet kripën dhe ujin e tepërt, duke e rritur edhe më shumë tensionin.
Shumica e njerëzve nuk kanë simptoma në fazat e para. Vetëm në stadet më të avancuara mund të shfaqen lodhje, ënjtje të këmbëve dhe duarve, vështirësi në frymëmarrje dhe ndryshime në urinim.
Ekspertët këshillojnë personat me tension të lartë të kryejnë kontrolle të rregullta, përfshirë analiza gjaku dhe urine, për të zbuluar në kohë problemet e mundshme me veshkat.
Mbajtja nën kontroll e tensionit është një nga mënyrat kryesore për të ngadalësuar ose parandaluar dëmtimin e tyre. /Telegrafi/










