Pijet energjike shoqërohen më shpesh me arrest kardiak dhe atak në zemër tek të rinjtë

Pijet energjike dhe suplementet që përmbajnë kafeinë dhe stimulues të tjerë lidhen dukshëm më shpesh me raste të arrestit kardiak dhe sulmit në zemër, veçanërisht te personat e moshës 18 deri në 34 vjeç.

Kështu tregon një analizë paraprake e publikuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA).

Studiuesit nga Universiteti i Virxhinias analizuan mbi 28 mijë raportime të efekteve të padëshiruara të pranuara nga Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), gjatë periudhës 2017–2025.

Ata krahasuan raportimet që lidhen me pijet energjike dhe suplementet me kafeinë me ato të produkteve që nuk përmbajnë këta përbërës.

Sipas rezultateve, arresti kardiak është raportuar rreth 11 herë më shpesh te përdoruesit e produkteve me kafeinë dhe stimulues.

Ndërsa sulmi në zemër është raportuar 4.5 herë më shpesh, kurse çrregullimet e ritmit të zemrës rreth katër herë më shpesh.

Rreth 45 për qind e raportimeve për probleme kardiake të lidhura me këto produkte u përkisnin personave të moshës 18 deri në 34 vjeç, një grupmoshë që zakonisht nuk konsiderohet me rrezik të lartë për sëmundjet e zemrës.

Shqetësim tjetër është sasia e lartë e kafeinës në disa prej këtyre produkteve.

Disa pije energjike përmbajnë deri në tri herë më shumë kafeinë për mililitër sesa kafeja e zakonshme, disa suplemente para stërvitjes mund të kenë mbi 12 herë më shumë.

Studiuesit theksojnë se, megjithëse deri në 400 miligramë kafeinë në ditë konsiderohen përgjithësisht të sigurta për shumicën e të rriturve, konsumimi i rregullt i pijeve energjike dhe suplementeve mund ta tejkalojë lehtësisht këtë kufi. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu