Rusia i jep garancën Iranit: SHBA-të nuk ju prekin dot

Moska dhe Pekini nuk do të lejojnë kurrsesi që Uashingtoni të shfuqizojë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ka qenë ky paralajmërimi i ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov nga takimi me homologun e tij kinez. Palët shprehën qëndrimin e tyre të përbashkët sa i përket akordit, të cilin Lavrov e përshkroi si një arritje të diplomacisë ndërkombëtare.

Rusia dhe Kina do të pengojnë çdo përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të sabotuar marrëveshjen bërthamore të Iranit.

“Kemi një pozitë të bashkuar. Ky dokument është miratuar nga organi më i lartë përgjegjës për ruajtjen e sigurisë globale, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rishikimi i të tilla marrëveshjeve është i papranueshëm. Është një përpjekje për të rishikuar një prej arritjeve më të mëdha të diplomacisë ndërkombëtare të kohëve të fundit. Ne do të pengojmë përpjekjet për të sabotuar këtë marrëveshje,” u shpreh Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në takimin me homologun e tij kinez Wang Yi në Pekin.

Aleatët dhe rivalët e Shteteve të Bashkuara kanë shprehur mbështetjen e tyre për marrëveshjen bërthamore të arritur me Iranin, duke rritur rolin e presidentit francez Emmanuel Macron tek homologu i tij amerikan Donald Trump, se nuk ka një “Plan B” për të mbajtur nën kontroll ambiciet atomike të Teheranit.

Me vizitën e tij drejt Shteteve të Bashkuara, Macron duket se është në një mision shpëtimi për Planin e Përbashkët të Veprimit nënshkruar në 2015, të cilin Trump është zotuar ta shfuqizojë nëse aleatët europianë nuk e përforcojnë deri në mesin e muajit maj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu