Rusia i redukton sërish gazin Europës, Nord Stream 1 me 20% të kapacitetit

Gjigandi rus energjetik Gazprom ka vendosur një reduktim të mëtejshëm të fluksit të gazit në Evropë përmes tubacionit Nord Stream 1 në 20% të kapacitetit maksimal, tha në një deklaratë të mërkurën operatori gjerman i rrjetit Gascade.

Kompania shtetërore ruse e energjisë tha të hënën se flukset e gazit do të reduktohen pasi u mbyll një turbinë për riparime, raporton CNN.

Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck reagoi ashpër të hënën, duke thënë se nuk ka asnjë arsye teknike për një ulje të dërgesave. Gazi kishte rrjedhur me 40% kapacitet pasi Rusia uli eksportet në përgjigje të sanksioneve perëndimore.

Për të shmangur mungesën e gazit në dimër, Gjermania aktualisht po përpiqet të mbushë objektet e saj të depozitimit të gazit sa më shpejt që të jetë e mundur. Objektet aktualisht janë të mbushura me rreth 66% kapacitet, sipas rregullatorit gjerman të gazit dhe energjisë elektrike.

Të martën, ministrat e energjisë të BE-së ranë dakord për një objektiv vullnetar për të reduktuar përdorimin e gazit me 15% midis gushtit dhe marsit 2023, në mënyrë që të përgatiten për dimrin. Çmimet e gazit janë rritur me më shumë se 20% që nga fillimi i javës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu