Rusia informon Amerikën se planifikon të kryej stërvitje bërthamore

Rusia ka njoftuar Shtetet e Bashkuara se planifikon të kryej stërvitje me forcat e saj bërthamore, ka njoftuar sot Pentagoni – duke refuzuar të japë më shumë informacione nëse stërvitjet përfshijnë lansimin e raketave balistike, raporton Reuters.

“SHBA-të janë informuar, dhe siç kemi theksuar më herët, është një stërvitje rutinore e Rusisë që mbahet çdo vit. Në këtë aspekt, Rusia po respekton obligimet për kontrollin e armëve”, tha zëdhënësi i forcave ajrore amerikane Patrick Ryder, transmeton Telegrafi.

Sipas marrëveshjes START, Rusia obligohet që para kohës të informojë për lansimin e raketave të tilla, kanë shtuar zyrtarët e lartë ushtarak amerikanë.

Megjithatë Ryder refuzoi të japë më shumë informacione lidhur me këtë çështje. E stërvitjet ushtarake janë sfidë potenciale për SHBA-të dhe aleatët e saj, pasi presidenti rus Vladimir Putin haptazi ka kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Rusia sot në Këshillin e saj për Siguri, ka akuzuar se Ukraina po planifikon sulme me “bomba të pista”, pretendime këto që janë hedhur kategorikisht poshtë nga zyrtarët ukrainas dhe aleatët e tyre perëndimorë – duke e cilësuar si arsyetim të rusëve për eskalim të luftës.

Aleanca Veri-Atlantike theksoi se e di dallimin mes stërvitjes ushtarake ruse dhe çfarëdo lëvizje tjetër që do të mund të ishte një kërcënim bërthamor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu