Rusia ka dhënë mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende

Një zyrtar i lartë amerikan foli të martën për gazetarët rreth financimit nga Rusia të partive dhe koalicioneve politike në vende të tjera, përcjell Zëri i Amerikës.

Zyrtari tha se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014, kur komuniteti amerikan i zbulimit pikasi një rritje të aktiviteteve të këtij lloji.

“Siç konstaton analiza e komunitetit të zbulimit, Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën. Rusia ka financuar fshehurazi parti politike lokale dhe politikanë, në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit, në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda. Mendojmë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Dhe jemi angazhuar me aleatët dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për këtë lloj rreziku… Po i ndajmë me mbi 100 vende kundërmasat që po marrim)”, tha zyrtari i lartë amerikan i cili foli në kushte anonomiteti.

“Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën… Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë. Ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai.

I pyetur rreth shqetësimeve se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të ndikojë edhe tek zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, zyrtari i lartë amerikan tha se nuk ka diskutim se ekziston edhe kjo pikë e dobët./Zëri i Amerikës


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu