Samiti në Azi: Biden premton konkurrencë me Kinën, jo konflikt

Kanalet e komunikimit të SHBA-së me Kinën do të mbeten të hapura për të parandaluar konfliktin, u tha presidenti amerikan Joe Biden udhëheqësve aziatikë të dielën pas samitit të parë të tre liderëve botërorë këtë javë në Azi, të ndjekur nga bisedime të tensionuara.

Në një fjalim në Samitin e Azisë Lindore (EAS) në Kamboxhia, ai tha se SHBA do të “konkurrojnë fuqishëm” me Pekinin, duke “siguruar që konkurrenca të mos kthehet në konflikt” dhe theksoi rëndësinë e paqes në ngushticën e Tajvanit.

Presidenti amerikan i bëri thirrje juntës ushtarake në Mianmar që t’i përmbahet planit të paqes për të cilën ra dakord me Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), ndërsa në të njëjtën kohë dënoi lëshimin e raketave të Koresë së Veriut dhe pushtimin “brutal dhe të padrejtë” të Rusisë në Ukrainë.

Pritet takimi i parë mes Bidenit dhe Xi

Azia Juglindore do të presë gjithashtu samitin e G20 në ishullin indonezian Bali, aty ku Biden pritet do të takohet me homologun e tij kinez Xi Jinping për herë të parë që kur mori pushtetin, ndërsa marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin më të ulët në dekada.

Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj ekonomike pritet të jenë temat kryesore të diskutimeve në Bali dhe në forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Bangkok më vonë këtë javë, krahas çështjeve klimatike, pasigurisë ushqimore dhe tensioneve mbi ngushticën e Tajvanit.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të dielën se Perëndimi po “militarizon” Azinë Juglindore në një përpjekje për të frenuar interesat ruse dhe kineze, duke krijuar terrenin për një përplasje midis Rusisë dhe liderëve perëndimorë në Samitin e G20 në Bali.

“Aleatët e SHBA-së dhe NATO-s po përpiqen të dominojnë këtë hapësirë”, u tha ai gazetarëve.

Ato përbëjnë gjysmën e ekonomisë botërore

Strategjia Indo-Paqësorit e Biden është një përpjekje për të anashkaluar “strukturat gjithëpërfshirëse” për bashkëpunimin rajonal dhe do të përfshijë “militarizimin e këtij rajoni, me një fokus të dukshëm në frenimin e Kinës dhe frenimin e interesave ruse në rajonin Azi-Paqësor“, tha ai.

Lavrov përfaqëson presidentin rus Vladimir Putin në samite dhe pritet të dëgjojë kritikat nga anëtarët e G20 lidhur me pushtimin e Ukrainës, të cilin Moska e quan një “operacion special ushtarak”.

Edhe pse Ukraina nuk është anëtare e G20, presidenti i saj Volodymyr Zelensky do t’u drejtohet pjesëmarrësve virtualisht.

Tetëmbëdhjetë vende, që përbëjnë gjysmën e ekonomisë botërore, morën pjesë në EAS të së dielës, i cili u mbajt me dyer të mbyllura dhe ku morën pjesë anëtarët e ASEAN-it, Japonia, Koreja e Jugut, Kina, India, SHBA, Rusia, Australia dhe Zelanda e Re.

Kryetari i samitit, kryeministri kamboxhian Hun Sen, tha se në seancën plenare pati një diskutim të gjallë, por se atmosfera nuk ishte e tensionuar.

“Veprimet e paprecedentë të Phenianit”

“Udhëheqësit folën në mënyrë të pjekur, askush nuk u largua”, tha ai në konferencën për shtyp.

Biden zhvilloi një takim trepalësh me krerët e vendeve aleate Japonisë dhe Koresë së Jugut dhe tha se të tre vendet janë “më shumë dakord se kurrë” për çështjen e Koresë së Veriut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol tha se provokimet e fundit të Koresë së Veriut treguan “natyrën” e atij regjimi “kundër humanitarizmit”, duke shtuar se ai është bërë armiqësor dhe agresiv duke u mbështetur në aftësitë e tij bërthamore dhe ushtarake.

Kryeministri japonez Fumio Kishida tha se veprimet e Phenianit, të cilat përfshijnë lëshimin e fundit të raketave balistike mbi Japoni, janë të paprecedentë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu