Sarajet e Ali Pashës, të projektuara nga Petro Korçari

Kjo skicë dëshmon imazhin real të sarajeve të Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe në Tepelenë. Sarajet e janinës, ishin projektuar dhe ndërtuar nga Petro Vithkuqari, njohur ndryshe edhe si Petro Korçari, kryearkitekti i Ali Pashës, i cili projektoi e ndërtoi edhe qendrën e Janinës. Ndërsa, sarajet e Tepelenës ishin ndërtuar prej usta Themelit, nga Marjani i Korçës.

Skicat dhe shumë dokumente rreth pashallëkut të Janinës ruhen në arkivin e Ali Pashës në Athinë. Rreth sarajeve të Ali Pashës në Janinë qarkullojnë disa imazhe fiksuar në periudha të ndryshme historike, por në këtë skicë dëshmohet periudha kur qendra e Janinës me gjithë ndërtimet e kryearkitektit Petro, ishin në kulmin e shkëlqimit të tyre.

Për origjinën e arkitektit të famshëm Petro kanë ekzistuar dy teza. Sipas Dhimitër Shuteriqit, Petro ishte me origjinë nga Korça ndaj e quajtën edhe Petro Korçari. Por, një dokument nga arkivi i Ali Pashës, zbulon se origjina e tij ishte nga Vithkuqi. Dokumenti prezanton një lutje drejtuar nga banorët e Vithkuqit për Ali Pashë Tepelenën, ku përmendin shtëpinë e lindjes në Vithkuq të arkitektit Petro, e cila sikurse gjithë shtëpitë e një mëhalle të tërë, kishte rënë pre e bastisjeve të Bylikbashit të ri që ishte emëruar në atë kohë dhe të tjerë agresorë që e ndiqnin atë. Ndërsa i rrëfejnë Ali Pashës mbi barbarizmat e bëra në fshat, ata i përmendin disa herë kryemjeshtrin e tij Petron që kishte shtëpinë në Vithkuq dhe disa kushërinj.

Po ashtu, dokumentet zbulojnë detaje edhe rreth usta Themelit. Një dokument po nga arkivi i Ali Pashës zbulon se usta Themeli kishtë bërë restaurimi në sarajet e Tepelenës në vitet 1808-1809.

…Usta Themëli ka punuar nga 12 tetori 1808 gjer më 15 Korrik 1809, për rikonstruksionin tërësor të sarajeve të Pashit, në Tepelenë…”, shkruhet në dokument.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu