Saranda mes mbeturinave, ndotje edhe në plazhe

Saranda, një ndër destinacionet më të bukura turistike të verës në Shqipëri, nuk ofron vetëm diell dhe natyrë plazhi, pasi plehrat janë bashkëshoqërueset e kësaj perle bregdetare.

Një pjesë e mirë e vendqëndrimeve të automjeteve janë mbuluar me plehra e mbeturina, të cilat hidhen nga udhëtarët e pandërgjegjshëm, por edhe nga drejtuesit e makinave që nuk respektojnë vendet e caktuara nga pushteti vendor.

Problematike gjendja është edhe në rrugët e Sarandes dhe Ksamilit, ku koshat e plehrave janë të tejmbushur që në orët e para të mëngjesit duke sjellë edhe përhapjen e tyre në rrugët e trotuaret përreth. Largësia ndërmjet vendeve të caktuara për grumbullimin e plehrave ka sjellë dhe hedhjen e tyre nga pushuesit e shumtë në vendet që janë lënë pa u ndërtuar ose janë të mënjanuara.

Papastërtitë janë të dukshme edhe afër plazheve, shumë pranë pushuesve, ku grumbullime të tyre kanë lënë shije të hidhur edhe tek pushuesit e huaj, të cilët frekuentojnë natyrën shqiptare dhe janë të shumtë kohët e fundit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu