Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit të partisë, Elmi Aziri, kanë takuar sot në Prishtinë, Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti.
Në takim u bisedua për zhvillimet politike në dy vendet dhe rajon, sfidat e përbashkëta dhe tema të tjera me interes kombëtar dhe për qytetarët e dy vendeve.
Kryetari Sela potencoi rëndësinë e formimit të institucioneve si jetike për vazhdimim e proceseve të rëndësishme që e presin Kosovën si në zhvillimet e brendshme ashtu në procesin integrues, duke përshëndetur dhe inkurajuar në këtë drejtim dialogun me opozitën dhe pjekurinë politike e shtetëformuese të partive politike.
Kreu i Lidhjes Shqiptare diskutoi me Kryeministrin Kurti për situatën politike në Maqedoninë e Veriut, duke shpalosur shqetësimet në lidhje me tendencat për tu zhvlerësuar edhe ato pak të drejta kolektive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, siç është edhe rasti i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Në bashkëbisedim, kryetari Sela shprehi interesim edhe për rjedhën e projekteve infrastrukturore si rruga Shkup-Bllacë dhe ajo Tetovë-Prizren.
Procesi euro-integrues u vlerësua si tejet i rëndësishëm për të ardhmen e vendeve tona dhe u cilësua si rrugë e vetme dhe pa alternativë, ndërsa bashkëpunimi i ndërsjellë do të lehtësojë dhe përshpejtojë këtë proces./INA/










