“Aleanca për Shqiptarët” dhe Lëvizja Besa rikonfirmuan gatishmërinë për ta mbështetur Zoran Zaevin në marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë.
Të dyja partitë pohuan se do të negocionin me LSDM-në për koalicion të mundshëm por vetëm nëse plotësohen kushtet e tyre.
Ziadin Sela theksoi edhe në njëherë qëndrimin se nuk do të jetë pjesë e një koalicioni që nuk do ta barazonte shqipen me maqedonishten.
“Drafti për ligjin për gjuhën shqipe është i përgatitur me kontributin tonë dhe janë gjërat kryesore, të cilat ne i mendojmë se duhet të jenë në ligj dhe akoma do të punohet në mënyrë që të jetë një ligj i mirëfilltë për përdorimin e gjuhës shqipe dhe i barabartë” – deklaroi zoti Sela
Ndërkaq, Lëvizja Besa ka deklaruar se nuk ka njohuri rreth përmbajtjes së propozim/ligjit për shqipen.
“Sa i përket propozim ligjit për gjuhën shqipe, ne ende nuk e kemi parë, nuk e dimë brendinë dhe përmbajtjen e atij ligji anadaj edhe nuk mund të deklarohemi rreth atij ligji. Natyrisht që ne kemi propozime dhe sugjerimet tona se si do të duhej të duket ai ligj, por për këto gjëra do të flasim atëherë kur nga LSDM-ja të na vijë ofertë konkrete për bashkë-qeverisje dhe kur të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë” – tha për Alsat, Orhan Murtezani nga radhët Lëvizjes BESA. /albeu.com/