Pas projektit të pasizimit të adresave të shqiptarëve, Beogradi tani përmes “planeve rregulluese” po synon të konfiskojë pronat e shqiptarëve në Medvegjë dhe Banjën e Sijarinës. Pronat që gjenden në zonën urbane përmes planeve urbanistike po synohen të shndërrohen në hapësira publike, ndërsa ato në zonat rurale për zhvillimin e turizmit rural, malor, shkolla verore, qendra sportive verore etj.
Me këtë plan, shqiptarët përfundimisht nuk do të mund të ndërtojnë apo riparojnë shtëpitë e tyre nëpër fshatrat e Medvegjës, e sidomos në rrethinën e Banjës. Janë disa qindra hektare deri tani objekt i këtij studimi, i cili për qëllim final ka sekuestrimin modern të tokave shqiptare. Ndërsa pritet që shumë shpejt këto sipërfaqe do të kalojnë në mijëra hektarë. Asambleisti dhe veprimtari Muharrem Salihu alarmoi këtë plan të autoriteteve serbe, që siç thotë është fatal për shqiptarët e kësaj treve. Ai thotë se është koha e fundit që Tirana dhe Prishtina zyrtare të ngrenë zërin, por me këtë problematikë të merret edhe faktori ndërkombëtar.
“Po të ndodhte një plan i tillë me serbët në Kosovë, çështja do të shkonte edhe në Këshillin e Sigurimit, por tani po heshtin Tirana, Prishtina dhe faktorët e tjerë që mund të parandalojnë këto plane zhbërëse dhe diskriminuese, që cënojnë lirinë e pronës dhe të qytetarëve në vendin e tyre”, thotë Salihu.
Kohë më parë, autoritetet serbe përmes planit të pasivizimit kanë shlyer adresat dhe dokumentet e mijëra shqiptarëve të kësaj treve, por përkundër reagimeve, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Beogradi zyrtar dhe plani ka vijuar në heshtje. (INA)










