Qytetarët e Malit të Zi nuk po lejohet të hyjnë në Serbi, për shkak të masave represive që ka miratuar pushteti në Beograd pas dëbimit të më shumë se 80 shtetasve serbë nga aeroporti i Tivarit, për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, deklaruan burime pranë autoriteteve malazeze të sigurisë për median e Podgoricës “Vijesti”.
Sipas të njëjtave burime, deri në orën 19:30, asnjë shtetas malazez nuk kishte kaluar në vendin fqinj në pikat kufitare Gostun, Jabuka dhe Draçenovac, në territorin nën kompetencën e policisë serbe.
“Policia jonë po zbaton kontrolle të rrepta dhe, si zakonisht, hyrja u lejohet të gjithë atyre që nuk kanë probleme të sigurisë. Përkundër kësaj, nga ora 19:30, prania e policisë serbe është rritur dhe ata po ndërmarrin masa të rrepta vetëm për shtetasit malazezë… Duket sikur është ndalesë”, tha një nga burimet e “Vijesti”.
Policia jozyrtarisht ka deklaruar për “Vijesti” se në pikat kufitare në Serbi, gjatë hyrjes në Serbi nga Mali i Zi, qarkullimi i trafikut për qytetarët malazezë është vështirësuar për shkak të kontrolleve gjoja të detajuara që po zbaton policia kufitare serbe.
Qytetarëve të Malit të Zi nuk po u lejohet hyrja në Serbi në pikën kufitare Gostun, raportoi televizioni N1, por pa një konfirmim zyrtar të këtij informacioni. Në këtë pikëkalim janë krijuar kolona automjetesh, gjë që mund të shihet edhe në kamerat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, raportoi më tej N1.
Një grup prej 87 shtetasish serbë, disa prej të cilëve ishin të regjistruar si persona me interes për sigurinë, dje mbërritën në Mal të Zi me një fluturim çarter nga Beogradi, por ata pas verifikimeve u ndaluan në Tivat dhe nuk u lejuan të hynin në Malin e Zi. Avioni u rikthye dhe u ul në Beograd pasditen e sotme. E gjithë kjo po ndodh në prag të samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, i cili fillon nesër dhe ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. (INA)








