Serbia po e shpopullon Luginën me një shpejtësi të frikshme, alarmon zv/kryeministri i Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci sot kanë qëndruar për vizitë në Luginën e Preshevës.

Ata fillimisht kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Ragmi Mustafi, me cilin kanë biseduar për gjendjen e shqiptarëve në këtë rajon duke vënë theksin tek një qasje më serioze për të ndihmuar në ndryshimin e pozitës së tyre, përcjell INA.

Bislimi tha se qasja e Kosovës karshi shqiptarëve në Luginë, do të jetë konstruktive, por shprehur shqetësimin për gjendjen e shqiptarëve. Ai tha theksuar se shpopullimi i këtyre vendbanimeve po ndodhë me një shpejtësi siç tha të frikshme.

“Vizituam dy shkolla, u dhamë libra falas. 4 mijë e 10 nxënës kanë përfituar tekstet falas për gjitha klasat e fillores. Po aq sa jemi të gëzuar që kemi pasur mundësinë të mbulojmë këtë kosto, po aq jemi të shqetësuar se kemi ndarë libra vetëm për 4 mijë e 10 nxënës duke ditur që para pak vitesh në shkollat e Luginës kanë vijuar mësimet mbi 13 mijë nxënës shqiptarë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia me politikat e saj ka arritur të shpopullojë këtë regjion. Tani ka ardhur momenti t’i tregojmë Evropës se si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë meqë nuk ka asnjë regjion në Evropë ku popullata ende në vitin 2022 lufton për tekste mësimore, për të drejta bazike e përfaqësim qoftë minimal në institucione shtetërore”, ka thënë Bislimi.

Ai ka përmendur fondin prej 2 milionë eurosh, për ndarjen e linjës buxhetore për blerjen e librave për mbi 4 mijë nxënës të shkollave fillore dhe për përfshirjen e çështjes së Luginës në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Në kuadër të vizitës, Bislimi dhe Nagavci janë takuar me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare, por nuk ka pasur takim me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu