Serialet turke në 170 shtete, Turqia fiton mbi 1 miliard € çdo vit

Serialet turke prej kohësh nuk janë vetëm argëtim televiziv – ato janë shndërruar në një industri të vërtetë globale, ndërsa sot Turqisë i sjellin më shumë se një miliard dollarë në vit.

Në ngjarjen „Historia globale e markës turke – seritë televizive turke“, mbajtur në Stamboll, u njoftua se seritë turke sot ndiqen nga rreth një miliard njerëz në 170 shtete anembanë botës, përcjell INA.

Sipas ministrit turk të kulturës dhe turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, ndikimi i serive është shumë më i madh se të ardhurat. Ato rrisin interesin për gjuhën turke, kulturën, gastronominë dhe destinacionet turistike.

Të ardhurat e e serive turke në tregun e jashtëm (të njohura si dizi) kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme vit pas viti. Sipas raporteve të industrisë dhe deklaratave zyrtare të institucioneve turke, fitimet e përgjithshme të këtij sektori lëvizin në shifra mjaft të larta.

Ato gjenerojnë qindra milionë deri në mbi një miliard dollarë vetëm nga shitja e të drejtave të transmetimit jashtë vendit, ndërsa ndikimi i tërësishëm ekonomik (përfshirë turizmin, bujqësinë, modën dhe industritë e lidhura) kap shifra shumë më të larta, që shkojnë në miliarda dollarë.

Shteti turk fiton drejtpërdrejt përmes taksave të korporatave të produksioneve, por përfitimi më i madh shtetëror është indirekt – përmes rritjes së imazhit të vendit (soft power) dhe rritjes masive të turistëve që vizitojnë Turqinë e nxitur nga vendet e xhirimit të serive.

Pjesa më e madhe e buxheteve të prodhimit rrotullohet brenda kompanive të mëdha mediatike në Stamboll (si Ay Yapım, TIMS&B, Medyapım, etj.), duke financuar aktorë të njohur, regjisorë, skenografë, efekte speciale dhe paga për mijëra punonjës të industrisë së filmit.

Kompanitë turke po investojnë fuqishëm në përmirësimin e cilësisë së prodhimit për të konkurruar në platformat globale si Netflix, Amazon Prime dhe Disney+.

Një pjesë e mbështetjes institucionale shkon për promovimin e Turqisë në panaire ndërkombëtare (si MIPTV në Kanë) për të hapur tregje të reja.

Shtetet kryesore ku shiten dhe shikohen seritë: Argjentina, Kili, Meksika, Brazil dhe Kolumbia kanë qenë ndër blerësit më të mëdhenj ndërkombëtarë që në fillim të hovit të serive turke.

Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore (MENA): Një nga tregjet tradicionale më të fuqishme për shkak të afërsisë kulturore dhe fetare.
Në Evropën Lindore dhe Ballkan ato dominojnë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Kroaci etj.

Vitet e fundit, interesi është përhapur fuqishëm edhe në Spanjë, Itali, Francë, Evropë Qendrore, si dhe në platformat digjitale në Shtetet e Bashkuara, duke tërhequr miliona shikues të rinj./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu