Serwer: Perëndimi, presion i papranueshëm ndaj Kosovës për pajtim me Serbinë

Eksperti amerikan i Ballkanit, Daniel Serwer tha se evropianët dhe amerikanët do të bëjnë presion të madh që Kosova të arrijë një marrëveshje me Serbinë para zgjedhjeve të pranverës 2020, dhe se Kosova duhet të jetë e gatshme të refuzojë çdo marrëveshje që cenon integritetin e saj territorial.

Në një shënim në blogun e tij, ai deklaroi se “nuk sheh ndonjë avantazh për Kosovën nëse dëshiron të pranojë atë presion”.

“Kosova duhet të jetë e përgatitur të refuzojë një marrëveshje të keqe në mënyrë që të arrihet një e mirë. Një marrëveshje e keqe është që të shkelet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, dhe një marrëveshje e mirë do të sigurojë një shkallë të mjaftueshme të decentralizimit dhe do t’i lejojë komunitetet pakicë të menaxhojnë mjediset e tyre”, tha Serwer, profesor i Universitetit “Johns Hopkins” në Uashington.

Ai shkroi se nuk ishte e qartë pse SHBA kishte emëruar dy të dërguar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, dhe se ai mendonte se ishte më shumë një konfuzion sesa një qëllim.

Kujtojmë se Zëvendës/Ndihmës/Sekretari i Shtetit i SHBA Matthee Palmer është emëruar Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell është emëruar i Dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për Dialogun Serbi-Kosovë.

“Nuk do të më befasonte fakti që ambasadori Grenell, i cili tashmë ka bërë gjithçka duke ofenduar qeverinë gjermane, të përpiqet të rigjallërojë idenë e dështuar të shkëmbimit të territoreve”, tha Serëer, duke përsëritur se është thelbësore që stabiliteti i rajonit të mos cenohet nga teza e kufijve përgjatë vijave etnike. .

Ai gjithashtu paralajmëroi Kosovën dhe Shqipërinë që të braktisin idenë e një “Shqipërie të Madhe”.

“Uashingtoni dhe Brukseli do të vazhdojnë të refuzojnë pa diskutim idenë e ‘Shqipërisë së Madhe’ duke shkaktuar paqëndrueshmëri. Një vendim i mençur për Shqipërinë dhe Kosovën do të ishte zgjidhja e problemeve të brendshme brenda kufijve ekzistues, ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe lidhjet e ngushta kulturore me shqiptarët që jetojnë në vendet e tjera”, deklaroi profesori amerikan.

Ai kritikoi “Jo”-në për hapjen e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, duke thënë se “Franca dhe Hollanda duhet të kenë turp” për atë që bënë me Shkupin dhe Tiranën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu