Serwer: Vuçiq po pret moment të favorshëm gjeopolitik për veriun e Kosovës

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka vlerësuar se Serbia po pret një moment më të favorshëm në arenën ndërkombëtare për të avancuar synimet e saj ndaj Kosovës.

Në një intervistë për “A2 CNN”, Serwer deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon të paktën veriun e Kosovës dhe po pret rrethana më të përshtatshme gjeopolitike për ta realizuar këtë objektiv.

“Është e qartë se Serbia nën Vuçiqin po pret për një mundësi gjeopolitike në të cilën mund të marrë të paktën veriun e Kosovës, sepse nuk ka interes për pjesën tjetër të territorit, pasi do të përballej me një luftë guerile që do të ishte shkatërruese për Serbinë”, u shpreh Serwer.

Duke folur për praninë ushtarake amerikane në Kosovë, ai tha se nuk do të ishte i befasuar nëse në të ardhmen do të kishte reduktim të trupave amerikane, duke theksuar se Kosova duhet të përgatitet edhe për këtë mundësi.

“Do të doja të shihja më shumë trupa amerikane në Kosovë dhe të qëndronin aty, por nuk do të habitesha nëse do të kishte ndonjë tërheqje. Kosova duhet të mësohet edhe me këtë mundësi”, tha ai.

Serwer theksoi se Kosova duhet të forcojë partneritetet strategjike dhe sugjeroi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mund të ketë rol më të madh në garantimin e sigurisë së vendit, përfshirë edhe shtimin e pranisë ushtarake në rast nevoje.

Sipas tij, prioritet strategjik për Kosovën duhet të mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pasi integrimi në aleancën veriatlantike do të ndihmonte në adresimin e sfidave të sigurisë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se mungesa e një qeverie të qëndrueshme mund ta vështirësojë procesin e anëtarësimit.

“Kosova duhet të lobojë që të hyjë në NATO sa më shpejt, si një shtet me ushtri të mirëkualifikuar. Por është e vështirë të imagjinohet që NATO të pranojë një anëtar të ri pa një qeveri të qëndrueshme”, përfundoi Serwer.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu