Sfeçla: Pas 31 tetorit nuk lejohet qarkullimi me targa ilegale

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës, ka bërë thirrje që t’i regjistrojnë automjetet e tyre para datës 31 tetor, përndryshe nuk do t’iu lejohet hyrja në Kosovë me tabela ilegale.

Ai shtoi se procesi dymujor, i cili përfundon më 31 tetor, është mundësia e fundit që të gjithë pronarët që posedojnë mjete me targa ilegale t’i kthejnë ato në targa RKS.

“Pas kësaj datë veturat të cilat posedojnë targat ilegale, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe në pikë kalimet kufitare”

Sfeçla ka bërë të ditur edhe lehtësirat që ministria e tij ka ndërmarrë për ta mbyllur me sukses këtë proces.

“Ky proces ofron lehtësia të mëdha, duke filluar nga regjistrimi i mjeteve më të vjetra se 10 vite, si dhe lirimin nga: taksa doganore, taksa administrative, tarifa për targën dhe tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjeteve”.

1 muaj kohë për konvertimin e targave në RKS, si është situata?

Kanë kaluar 31 ditë dhe numri i serbëve të cilët kanë përfillur kërkesën e Qeverisë së Kosovës për të konvertuar targat e tyre ilegale në ato RKS, mbetet një shifror.

Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Një gjë të tillë e kishte konfirmuar vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve, ku ftoi të gjithë qytetarët serb ta shfrytëzojnë këtë mundësi, kështu duke u liruar edhe nga detyrimi i pagesës së TVSH-së, akcizës e doganës.

Megjithatë deri më tani 9 persona kanë zgjedhur ta dëgjojnë Albin Kurti, kështu duke i konvertuar targat e tyre, ku 7 prej tyre janë të nacionalitetit serb.

Për çështjen në fjalë ishte thënë se janë dhënë disa opsione në takimin e 18 gushtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç’it.

Njëri nga modalitetet që u propozua në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ishte ajo e rikthimit në qarkullim të targave neutral “KS”, si opsion për serbët të cilët nga 1 shtatori duhet t’i konvertojnë tabelat ilegale me akronime “KM” në ato “RKS”.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit një propozim të tillë, e kishte refuzuar në mënyrë të prerë.

“Opsionet për targa neutrale, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, mirëpo unë nuk e di se kush ja ka dhënë idenë, por njëkohësisht e kam shprehur shqetësimin tonë se nuk janë të pranueshme”, pati deklaruar Kurti.

Ndryshe Lajçak, në një intervistë për Euronews, edicioni në gjuhën serbe, pati konfirmuar se BE-ja për këtë çështje ka dhënë disa ide konkrete palëve, të cilët duhet të zgjedhin njërin nga modalitetet.

“Vendimi i qeverisë në Kosovës është që procesi të përfundojë deri në fund të tetorit. Pra kemi dy muaj kohë për të gjetur një zgjidhje. Tashmë jemi në atë proces. Ne ishim në telashe për dokumentet hyrëse-dalëse. Për targat kemi të paktën dy muaj kohë për t’i zgjidhur, besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, kishte thënë Lajçak.

Kryediplomati sllovak përpos që kishte konfirmuar se pala kosovare kishte pranuar periudhën dymujore për konvertimin e targave, pati deklaruar se nuk pret përshkallëzim të situatës për këtë çështje.

“Regjistrimi fillon më 1 shtator dhe duhet të zgjasë dy muaj. Nuk pres ndonjë dramë më 1 shtator. Nuk ka arsye për këtë, ne kemi periudhën dy mujore për të gjetur një zgjidhje, siç e kemi gjetur në lidhje me kartat e identitetit”, pati thënë më tej Lajçak.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu