Shaip Kamberi sfidon i vetëm Serbinë: Godisni Rusinë

Shaip Kamberi, anëtari i vetëm shqiptar etnik i parlamentit të porsazgjedhur serb, i bëri thirrje Beogradit të vendosë sanksione ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë.

Serbia është i vetmi vend në Europë, përveç Bjellorusisë, që ende nuk e ka hedhur një hap të tillë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Europian.

Madje një sondazh i fundit e nxirrte Vladimir Putinin si liderin më të pëlqyer prej serbëve.

“Krijimi i Parlamentit dhe qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me sanksione kundër Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Europian”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij në Facebook.

Ai shtoi se si përfaqësues i Koalicionit Shqiptar për Luginën e Preshevës po punon për krijimin e një grupi parlamentar me parti të tjera opozitare dhe minoritare, e madje e bëri dhe një paralajmërim, duke thënë se nëse propozimi i tij për sanksione nuk pranohet, nuk do të votojë për legjislaturën e re.

Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi u zhvilluan në muajin prill, por vendin e tij në parlament Kamberi e fitoi vetëm javën e kaluar pas raundit të pestë të përsëritur zgjedhor.

Rezultatet fillestare të zgjedhjeve të 3 prillit ishin zhgënjyese për shqiptarët që humbën të tre vendet e fituara në zgjedhjet e mëparshme.

Me fitoren e Kamberit, lista e shqiptarëve siguroi një mandate në Parlamentin e Serbisë, që në fakt është një votë opozitare, e vetmja e cila mund të flasë drejtpërdrejt në emër të pakicës kombëtare shqiptare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu