Shtetet e Bashkuara te Amerikës kanë dërguar dy destrojerë në ujërat e Mesdheut pas paralajmërimeve për kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike ndaj popullsisë civile prej ushtrisë së presidentit Asad.
Destrojeri amerikan “USS Donald Cook” la postin e Larnakas në Qipro dhe ndodhet tashmë në ujërat e Mesdheut Lindor, ndërsa një tjetër destrojer amerikan është parë të kalojë ngushticën e Gjibraltarit sot duke iu drejtuar të njëjtës zonë, shkruan Albeu.com.
Më parë, Presidenti Trump kishte paralajmëruar se do të merrnin masa të shpejta ndaj ushtrisë së Sirisë që vret popullsinë civile me armë kimike.
Ndërkohë, ushtria siriane dhe mbështetësit e saj rus kanë filluar largimin e avionëve dhe helikopterëve nga bazat ku mendohet se mund të sulmohen.
Destrojeri “USS Donald Cook” është 154 metra i gjatë dhe i mirëpajisur me fjalën e fundit të teknologjisë në sistemet e radarëve si edhe të reketave të avancuara “Tomahawk”, të cilat mund të godasin objektivin qindra kilometra larg, shkruan Albeu.com.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në orët në vijim, megjithatë SHBA ka kryer një sulm me raketa disa muaj më parë ndaj ushtrisë së Asadit me të njëjtin arsyetim, gjë e cila mund të ndodhë sërish sipas mediave amerikane. /albeu.com/










