SHBA godet importet nga rreth 60 vende, hyjnë në fuqi tarifat e reja doganore

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë zyrtarisht në fuqi me një paketë të re tarifash doganore për importet nga rreth 60 vende, mes të cilave Bashkimi Evropian, Kina, India, Australia dhe Brazili. Tarifat e reja, që variojnë nga 10 deri në 12.5 për qind, prekin mallra që përbëjnë pothuajse të gjithë importin amerikan.

Sipas Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së, tarifat hynë në fuqi të premten në mëngjes dhe përbëjnë një hap të ri në politikën tregtare të administratës së presidentit Donald Trump. Nga Shtëpia e Bardhë u bë e ditur se presidenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë për realizimin e objektivave të tij tregtare, pavarësisht vendimeve të mëparshme gjyqësore që kanë kundërshtuar një pjesë të masave.

Tarifat e reja pasojnë një hetim disa mujor, gjatë të cilit autoritetet amerikane vlerësuan se në disa vende përdoret punë e detyruar në prodhimin e mallrave që eksportohen në SHBA, si dhe se nuk janë ndërmarrë masa të mjaftueshme për parandalimin e këtyre praktikave.

Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga partnerët tregtarë të SHBA-së. Bashkimi Evropian i cilësoi tarifat si të pajustifikuara, ndërsa Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, i quajti ato një “surprizë negative” dhe hodhi poshtë akuzat për përdorim të punës së detyruar. Edhe Zvicra mohoi akuzat, ndërsa Norvegjia njoftoi se nuk do të ndërmarrë kundërmasa.

Brazili kundërshtoi tarifën prej 12.5 për qind dhe kërkoi reciprocitet në marrëdhëniet tregtare, ndërsa autoritetet meksikane deklaruan se masat e reja nuk do të ndryshojnë normën efektive doganore që aktualisht paguajnë eksportuesit e tyre. Australia, nga ana tjetër, e cilësoi vendimin e Uashingtonit si “plotësisht të pajustifikuar”.

Administrata amerikane thekson se nga tarifat përjashtohen disa produkte, përfshirë naftën, gazin natyror dhe mallrat që nuk mund të prodhohen në SHBA. Disa vende do t’i nënshtrohen normës më të ulët prej 10 për qind, pasi kanë ndërmarrë masa për të parandaluar përdorimin e punës së detyruar. Megjithatë, Uashingtoni paralajmëron se tarifat mund të mbeten në fuqi ose edhe të zgjerohen nëse vlerësohet se nuk ka përparim të mjaftueshëm.

Ekspertët vlerësojnë se masat e reja nuk pritet të shkaktojnë menjëherë rritje të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët amerikanë, pasi ato përfaqësojnë vazhdim të regjimit ekzistues tarifor. Megjithatë, ndikimi në çmime dhe në tregtinë ndërkombëtare mund të bëhet më i dukshëm gjatë muajve në vijim.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar hetime të reja tregtare dhe vendosjen e tarifave shtesë, përfshirë një tarifë prej 50 për qind për produkte të caktuara nga Kanadaja, e cila pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu