SHBA “i ngushton lakun” Dodikut, dështon plani për të shmangur sanksionet, zbulohen kontratat e fshehta me autoritetet

vSituata në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH), po nxehet. Pavarësisht paralajmërimeve nga komuniteti ndërkombëtar, presidenti i Republika Srpska (një njësi brenda BiH) Milorad Dodik ka filluar të zbatojë kërcënimet e tij për “ndarje paqësore” nga Bosnja dhe Hercegovina. Madje, Dodik ka prezantuar Marrëveshjen për Rregullimin e Marrëdhënieve Midis Republika Srpska dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe aktet ndërkombëtare, si dhe informacionin mbi domosdoshmërinë e ndarjes.

Është e qartë: një punë e konsiderueshme është bërë, që synon të shkatërrojë jo vetëm BiH, por edhe paqen dhe stabilitetin në rajon. Është e lehtë të imagjinohet se si diktatori i Kremlinit po fërkon duart nga gëzimi. Megjithatë, nëse është një shtet që prish çdo plan të Dodik është SHBA. Jo vetëm që e ka sanksionuar, por duket se “i ka prerë krahët” për çdo lloj mënyre financimi, apo pasurimi.

Skema e pasurimit

Nga viti 2023, autoritetet e Republika Srpska financuan kompani biznesi me më shumë se 35 milionë euro përmes kontratave të ndryshme që janë në listën e zezë të Departamentit të Financave të SHBA dhe përfaqësojnë një burim pasurimi për liderin serb të Bosnjës Milorad Dodik dhe anëtarët e familjes së tij. Në një postim në rrjetin social X të hënën, ambasada amerikane në Sarajevë deklaroi se ka dëshmi se të paktën 70 milionë marka të konvertueshme (35.8 milionë euro) nga buxheti i entitetit janë “pompuar” në kompanitë e lidhura me Dodikun dhe familjen e tij.

Bëhet fjalë për kompanitë Prointer, Kaldera dhe Sirius 2010, të cilat u sanksionuan nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së në qershor. “Të gjitha këto kompani janë tani në listën e sanksioneve të SHBA-së për rolin e tyre në mundësimin e korrupsionit”, tha ambasada në një deklaratë.

Kontratat e fshehta

Kontratat e dhëna këtyre kompanive nga qeveria e RS-së u realizuan në vitin 2023 dhe 2024 dhe pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj tyre, bankat komerciale filluan të mbyllnin të gjitha llogaritë e tyre dhe kështu praktikisht bllokuan operacionet e tyre. Kompanitë e sanksionuara ishin furnizues të licencuar të pajisjeve të TI-së dhe ofrues të mbështetjes teknike për instalimin dhe mirëmbajtjen e saj. Kompania Sirius 2010, së bashku me kroaten Odasiljači i vez (OIV), iu dha puna për dixhitalizimin e shërbimeve publike të radios dhe televizionit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pasi u ndëshkuan me sanksione, ata duhej të hiqnin dorë nga kjo punë, dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Bosnjë dhe Hercegovinës tani po analizon nëse OiV mund ta vazhdojë projektin në mënyrë të pavarur. Pronarët e kompanive që janë nën sanksionet e SHBA-së tani po përpiqen t’i mbyllin ato dhe të krijojnë të reja dhe të vazhdojnë me biznesin e tyre aktual, por SHBA i ka paralajmëruar se kjo është gjithashtu një shkelje e sanksioneve. Politika e SHBA-së është ta konsiderojë këtë një “komplot” që synon shmangien e sanksioneve, gjë që më pas hap derën për vendosjen e masave të reja ndëshkuese ndaj individëve ose kompanive të përfshira.

Zgjerimi i sanksioneve

Kujtojmë se edhe në muajin qershor, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar një rrjet prej dy individësh dhe shtatë entitetesh që është thënë se sigurojnë burime të mëdha të të ardhurave për Dodik, i sanksionuar, po ashtu, nga SHBA-ja, dhe për familjen e tij. Dodik ka grumbulluar pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me Igor Dodik.

Për shembull, në vitin 2024, Igor dhe Dodik ushtronin kontrollin e tyre mbi zyrtarët e lartë të qeverisë së Bosnje dhe Hercegovinës (BiH) për të manipuluar projekt-buxhetin në mënyrë që një kontratë në nivel shtetëror t’i jepej Prointer ITSS Banja Luka Clan Infinity International Group një entitet në rrjet, jashtë procesit konkurrues. Djali i Milorad Dodik, Igor kontrollon shumë prej kompanive në këtë rrjet, ai e turbullon lidhjen e tij personale me kompanitë duke u mbështetur në pronarë dhe drejtorë nominalë të veçantë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu