SHBA, ligjvënësit nën trysni për të miratuar ndihma të reja për Ukrainën

Ndërsa bora po e mbulon Ukrainën dhe ushtria bëhet gati edhe për një dimër të gjatë në luftë, ndihma e rëndësishme për luftën e Kievit kundër agresionit rus është në rrezik në Kongresin amerikan.

U bë javë të tëra që një grup republikanësh po përpiqen në mënyrë të rrezikshme të kushtëzojnë ndihmën për Ukrainën dhe mbështetjen e Perëndimit për demokracinë me miratimin e politikave të tyre të vijës së ashpër për kufirin”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën dhe gati 14 miliardë dollarë ndihma për Izraelin. Ndërsa shumica e republikanëve në Senat e mbështesin këtë ndihmë, ata duan që në këmbim të votës së tyre pro të miratohen edhe miliarda dollarë fonde për sigurimin e kufirit me Meksikën.

E telefonova presidentin javën e kaluar për t’u siguruar që ai e kuptonte se nuk do të kishte miratim të ndihmës pa u bindur se ka përpjekje serioze për të kapërcyer situatën shumë të rëndë në pjesën jugore të kufirit me Meksikën. Shpresoj se kjo e bëri atë ta kuptojë, se përse unë kam qenë mbështetësi më entuziast i kësaj ndihme”, thotë Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane në Senat.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se miratimi i ndihmës në Kongresin amerikan është një nga tri fitoret kryesore që i duhen Ukrainës në frontin ndërkombëtar.

Është një sfidë, nuk do të jetë lehtë”, thotë zoti Zelenskyy.

Ligjvënësve amerikanë u ka mbetur pak kohë para se të shkojnë për pushime dhe Shtëpia e Bardhë thotë se ndihmat e miratuara më parë për Ukrainën janë duke përfunduar me shpejtësi.

Ndihmat për partnerët tanë, Ukrainën dhe Izraelin, janë bazuar në nevojat dhe kërkesat e tyre. Në të dyja rastet, mundësia për të vepruar po zvogëlohet”, thotë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Shumë republikanë kanë shprehur shqetësim për këto ndihma të vazhdueshme, ndërkohë që ka shumë nevoja urgjente të brendshme. Një analist i tha Zërit të Amerikës se debati mbi ndihmën për Ukrainën nuk mund të ndahet nga shqetësimet e brendshme politike.

Disa nga kritikët e ndihmës për Kievin do të thoshin: ‘Ukraina është e rëndësishme, por ne kemi shumë çështje të brendshme, kemi varfëri, kemi probleme me kufirin, ka çështje të tjera kombëtare. Më mirë t’i shpenzojmë paratë për çështjet e brendshme’. Unë mendoj se ky është një vlerësim i gabuar. Një vend i madh mund t’i bëjë të dyja në të njëjtën kohë”, thotë Colin Cleary, profesor në Universitetin ‘George Washington’ dhe veteran i diplomacisë amerikane që ka shërbyer edhe në Ukrainë.

Kundërshtimi ndaj ndihmës për Ukrainën është më i madh në Dhomën e Përfaqësuesve ku shumica janë republikanë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson megjithatë ka thënë se ka besim se ndihma do të miratohet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu