SHBA shton presionin ndaj BE: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar trysninë ndaj Bullgarisë, që kjo e fundit të mos vendosë veton për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut.

Fillimisht ka qënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price, i cili theksoi në një postim në Twitter se Uashingtoni mbështet hapjen e negociatave të pranimit në BE si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë.

“Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa vonesa. Jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar angazhimin tonë për integrimin e dy vendeve në Ballkan“, shkroi Price në Twitter.

Angazhimi shkoi aq lart sa Departamenti i Shtetit njoftoi se në të është përfshirë edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Sipas një njoftimi të DASH, Blinken ka zhvilluar një telefonatë me Presidentin bullgar, Rumen Radev.

“Sekretari Blinken dhe Presidenti Radev theksuan rëndësinë e aleancës transatlantike, partneritetin strategjik SHBA-Bullgari dhe bashkëpunimin në nismën bullgare të “Tre Deteve”. Sekretari dhe Presidenti folën gjithashtu për çështjet me interes të përbashkët sa i takon sundimit të ligjit, Ballkanit Perëndimor dhe diversifikimit të energjisë”, thuhet në njoftimin e shkurtër.

Sipas këtij njoftimi, Ballkani Perëndimor nuk ka mbetur jashtë diskutimeve dhe tema për të cilën po investohet fuqishëm Uashingtoni këtë ditë është pikërisht hapja e negociatave mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nga njëra anë me Bashkimin Europian nga ana tjetër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu