E përditshmja britanike “The Guardian” dje (e mërkurë) doli me një artikull të bazuar në burime të qeverisë serbe ku thoshte se pozita ndërkombëtare ndaj ndarjes së mundshme të Kosovës po ndryshonte, pavarësisht kundërshtimit të kancelares gjermane Angela Merkel.
“Ata po flasin; opsione të ndryshme janë në tryezë”, tha një burim i qeverisë serbe.
“Pozicioni amerikan po ndryshon nga tërësisht kundër ndarjes në gatishmërinë për të diskutuar këtë opsion. Franca është gjithashtu mjaft pozitive për të. Gjermania nuk është”, thoshte burimi i “The Guardian”.
Mirëpo, se a është duke ndryshuar qëndrimi amerikan karshi ndarjes së Kosovës. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nëpërmjet një përgjigje me shkrim për lajmi.net, ka thënë se çdo marrëveshje që arrihet nga palët e përfshira është e pranueshme nga Amerika.
“Përmbajtja e çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe BE-në si lehtësues”, thuhet në përgjigje.Duke ju referuar tekstit të së përditshmes britanike mbi marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë ku thuhej së mund të ketë edhe ndarje për shkak të stabilitetit të Ballkanit, Ambasada thotë se palët (Kosova dhe Serbia) nuk duhet të arrijnë marrëveshje që krijon jostabilitet në rajon.
“Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon jostabilitet në cilindo shtet apo në rajon. Kjo do të kërkojë vizion dhe fleksibilitet në të dy anët.”Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë mbi procesin, thotë Ambasada Amerikane, duke shtuar më tej: “që të pakësojnë retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”.
“Në këtë pikë ne nuk duam të hyjmë në një debat publik rreth elementeve hipotetike të një zgjidhjeje që mund të dalë nga negociatat”.Më pas përgjigja thotë se çdo marrëveshje që palët do të bien dakord do të përcjellët nga Amerika ku edhe për shqetësime të marrëveshjeve të propozuara do të diskutojnë me palët.
“Ne do të vështrojmë shumë seriozisht dhe me shumë kujdes atë për të cilën palët bien dakord. Kjo nuk nënkupton liri të pakufishme të veprimit. Për aq sa kemi shqetësime për elementet specifike të cilësdo marrëveshjeje të propozuar, ne do të jemi të qartë me palët lidhur me këto”, përfundon përgjigja.










