Shembulli i shqiptarëve në Serbi, AARC kërkon unitet ndërshqiptar edhe në Maqedoninë e Veriut

Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) përgëzon partitë politike shqiptare në Serbi për lënien mënjanë të dallimeve dhe dëshmimin e fuqisë së unitetit përmes angazhimit të tyre të përbashkët elektoral. Duke siguruar dy mandate parlamentare, me mundësinë e fitimit të një mandati të tretë, ato kanë dëshmuar se, kur shqiptarët i vendosin interesat e tyre kolektive mbi ndarjet partiake, mund ta forcojnë ndjeshëm përfaqësimin dhe ndikimin e tyre politik.

Sipas AARC, ky sukses përcjell një mësim të rëndësishëm për liderët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët duhet unifikuar për të rritur peshën e tyre politike dhe ndikimin në institucionet e vendit.

Ja komunikata e plotë:

Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) përgëzon partitë politike shqiptare në Serbi për lënien mënjanë të dallimeve të tyre dhe dëshmimin e fuqisë së unitetit përmes angazhimit të përbashkët elektoral. Duke siguruar dy mandate parlamentare, me mundësinë e fitimit të një mandati të tretë, ato kanë dëshmuar se, kur shqiptarët i vendosin interesat e tyre kolektive mbi ndarjet partiake, mund ta forcojnë ndjeshëm përfaqësimin dhe ndikimin e tyre politik.

Ky sukses përcjell një mësim të rëndësishëm për liderët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ku fragmentimi politik e ka dobësuar ndjeshëm përfaqësimin shqiptar dhe e ka zvogëluar ndikimin e tij në institucionet e vendit. Në një kohë kur çështje themelore që lidhen me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, të drejtat gjuhësore, përfaqësimin e drejtë dhe barazinë politike mbeten të pazgjidhura, përçarja ka një kosto veçanërisht të lartë.

AARC u bën thirrje partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të shqyrtojnë mundësinë e formimit të një fronti të bashkuar elektoral, të mbështetur në një platformë të përbashkët që mbron të drejtat dhe interesat e tyre kolektive. Një unitet i tillë do ta forconte përfaqësimin parlamentar, do ta rriste fuqinë negociuese politike dhe do ta rikthente besimin e elektoratit, i cili është gjithnjë e më i zhgënjyer nga përplasjet partiake dhe cenimi i të drejtave të fituara me shumë mund.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur forca të jashtme po përpiqen të shfrytëzojnë ndarjet etnike dhe të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor. Një prani e fortë dhe e bashkuar politike shqiptare do t’u shërbente jo vetëm interesave të shqiptarëve, por edhe stabilitetit, zhvillimit demokratik dhe së ardhmes euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Uniteti politik shqiptar nuk duhet të shihet si përballje me komunitetet e tjera, por si një angazhim për barazi, respekt të ndërsjellë dhe mirëqenie të përbashkët.

Shembulli i dhënë nga liderët shqiptarë në Serbi dëshmon se çfarë mund të arrihet kur qëllimi i përbashkët mbizotëron mbi rivalitetin politik. Ne u bëjmë thirrje homologëve të tyre në Maqedoninë e Veriut të kuptojnë se interesat e popullit shqiptar duhet të jenë mbi përkatësitë partiake dhe ambiciet personale.

Në këtë moment vendimtar, uniteti nuk është thjesht një strategji zgjedhore, por një domosdoshmëri kombëtare”, thekson Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC)./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu