Çekia është veshur kuq e zi. Shumë tifozë shqiptarë kanë shkuar pas Shkëndijës, e cila prej orës 19:00 do ta zhvillojë ndeshjen kthyese ndaj Mlada Boleslav, në kuadër të rrethit të tretë kualifikues për Europa Leagues.
Ekipi tetovar e ka fituar ndeshjen e parë në Shkup me rezultat 2:0 dhe mbetet me gjasa të mëdha për të ecur tutje, ndonëse në të kaluarën asnjëherë nuk e kishte kaluar as rrethin e parë. Por, klubi i madh shqiptar nga Maqedonia është rritur shumë falë mbështetjes së kompanisë “Ecolog” dhe pronarit të saj, Lazim Destani.
FC Prishtina me Remzi Ejupin përkrah Shkëndijën edhe në Pragë
Ndërkohë, Shkëndijës as në Çeki nuk do t’i mungojë mbështetja nga “motra” e saj, FC Prishtina. Presidenti i klubit më të madh të Kosovës, Remzi Ejupi, është pjesë e delegacionit të Shkëndijës në republikën çeke.
Mbrëmë Ejupi ishte pjesë e delegacionit të Partizanit të Tiranës në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Red Bull Salzburg. Bashkë me presidentin e ekipit shqiptar, Gazmend Demi, ishin pritur ngrohtësisht nga austriakët.