Qeveria ka bërë të ditur se është shpallur tenderi për ndërtimin e dy kilometrave të autostradës Shkup – Bllacë që shkurton lidhjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Këto dy kilometra do të shtrohen me mjetet e parapara nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”, ndërsa pjesën tjetër e mbulon fondi i siguruar nga Bashkimi Evropian me vlerë prej 27 milionë eurove, një grant i pakthyeshëm.
Përkundër këtyre dy kilometrave që i financon Qeveria e Shkupit, ende mbetet e paqartë shpallja e tenderit tjetër kryesor që mbulon pjesën më të madhe të autostradës, dhe që bëhet fjalë për më shumë se 10 km.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani sot nuk ka dhënë detaje kohore se kur do të nisin dhe kur do të përfundojnë punimet për këtë autostradë të shumë pritur.
“Për shkak se punët e paparashikuara gjatë ndërtimit të projekteve veçanërisht të tilla sikur që është autostrada Shkup-Bllacë, e cila thash për shkak të terrenit gjeografik është mega projekt në aspekt të sfidave me cilat do të ballafaqohet nuk mund të them konkretisht se kur do të përfundon. Nga sot dinamikën e përcaktojnë afatet ligjore jo më puna e institucioneve. Deri tani sfida kryesore ishte si t’i koordinojmë dhe t’i harmonizojnë institucionet me lejet, planet, elaborimet e kështu me radhë që të arrijmë në shpalljen e tenderit. Nga sot ligji e përcakton se kur do të hapet, kush do të konkurron , kush do të përzgjidhet dhe me çfarë dinamike do të ndërtohen”, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
Sipas këtij projekti, largësia kohore në mes dy kryeqyteteve do të shkurtohet nga 2 orë në më pak se një orë. (INA)










