Shqiptarët martohen më së shumti në Evropë, maqedonasit të fundit

Shqipëria ka numrin më të lartë të njerëzve që i kanë thënë “po” njëri-tjetrit në të gjithë Evropën. Gjatë 2017-s u lidhën rreth 8 martesa për 1000 persona, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” bazuar në numrin e martesave të publikuara nga INSTAT.

Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës kanë një numër të lartë të martesave të lidhura për 1000 banorë, megjithëse nuk janë përditësuar të dhënat e 2017-s. Sipas EUROSTAT-it, në Kosovë gjatë 2016-s u lidhën rreth 9 martesa për 1000 banorë, 1 martesë më shumë se në Shqipëri. Edhe në raport me vendet e rajonit, shqiptarët martohen më shumë.

Në Serbi numri i martesave për 1000 në 2017-n ishte 5.1 martesa për 1000 banorë, në Malin e Zi 5.3 dhe në Maqedoni me 6.6 për 1000 martesa. Mesatarja e martesave në të gjithë Bashkimin Evropian gjatë 2017-s ishte 4.3 për 1000 banorë. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vitin 2017, vendet e Bashkimit Evropian (BE) me numrin më të madh të martesave në raport me popullsinë ishin Lituania (7.5 martesa për 1,000 banorë) dhe Rumania (7.3). Këto u pasuan nga Qiproja dhe Letonia (të dyja 6,8) dhe Malta (6,3). Në të kundërt, norma më të ulët e martesave në të gjithë Evropës ishte 3 martesa për 1,000 banorë, të cilat u raportuan në Slloveni (3.1), Itali dhe Luksemburg (të dyja 3.2) dhe Portugali (3.3).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu