Shtetet e Bashkuara thirrje për përmbajtje mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të shqetësuara mbi njoftimet për sulme përgjatë kufirit të Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe u bëri thirrje qeverive të të dy vendeve që të rivendosin linja të drejtpërdrejta të komunikimit nëpër kanalet diplomatike dhe ushtarake.

“Ne jemi angazhuar në mënyrë aktive me qeverinë armene dhe atë të Azerbajxhanit për të parë se çfarë mund të bëjmë për t’i dhënë fund kësaj dhune,” u tha zoti Kirby gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. Ne kërkojmë përmbajtje nga çdo ashpërsim i mëtejshëm ushtarak”.

Të paktën 49 ushtarë armenë dhe një numër i panjohur azerbajxhanas u vranë të martën në luftimet më vdekjeprurëse midis Azerbajxhanit dhe Armenisë që nga lufta e vitit 2020, duke bërë që presidenti rus Vladimir Putin të bënte thirrje për qetësi.

Armenia dhe Azerbajxhani, ish-shtete fqinje sovjetike, fajësuan njëri-tjetrin për ripërtëritjen e luftimeve që filluan gjatë natës në disa pika përgjatë kufirit të tyre, duke rritur frikën për një tjetër konflikt të madh të armatosur në ish-Bashkimin Sovjetik, ndërkohë që ushtria ruse është e angazhuar në Ukrainë.

Rusia ka trupa paqeruajtëse në zonën e konfliktit Azerbajxhan-Armeni si garantues i një marrëveshjeje që i dha fund një lufte gjashtë-javore mbi enklavën e debatueshme të Nagorno-Karabakut dy vjet më parë.

Jerevani tha se Azerbajxhani kishte bombarduar qytete pranë kufirit duke përfshirë Jermukun, Gorisin dhe Kapanin, duke e detyruar atë të përgjigjet. Bakuja tha se njësitë armene të sabotimit kishin kërkuar të minonin pozicionet e Azerbajxhanit dhe filluan të shtënat.

Ai akuzoi gjithashtu trupat armene për gjuajtje me armë të rënda në kundërshtim me një armëpushim të arritur më herët të martën.

“Është e vështirë të mbivlerësohet roli i Federatës Ruse, roli i Putinit personalisht”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Presidenti natyrisht po bën çdo përpjekje për të ndihmuar në uljen e tensioneve në kufi”.

UKRAINA DHE KAUKAZET

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka minuar statusin e saj si një garantues rajonal i sigurisë, duke i lënë hapësirë Azerbajxhanit për të bërë më shumë pretendime, tha Laurence Broers, bashkëpunëtor në programin e Rusisë dhe Euroazisë të institutit Chatham House.

Azerbajxhani, i cili është i lidhur politikisht dhe kulturalisht me Turqinë, bëri përparime të konsiderueshme territoriale në vitin 2020, duke rikthyer tokën e humbur nga armenët etnikë në një luftë të mëparshme mbi Nagorno-Karabakun 30 vjet më parë.

“Që nga shkurti, ne kemi parë gjithashtu rënien e reputacionit të Rusisë si një mbrojtës i sigurisë dhe një ofrues i sigurisë në rajon,” tha zoti Broers. “Kjo ka krijuar një dritare mundësish për Azerbajxhanin, duke kujtuar se rezultati i luftës së dytë në 2020 la punë të papërfunduar.”

CSTO, një aleancë ushtarake e ish-shteteve sovjetike e udhëhequr nga Rusia që përfshin Armeninë, por jo Azerbajxhanin, u takua të martën për të diskutuar situatën.

Turqia përsëriti mbështetjen për aleatin e saj Azerbajxhanin, me Ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar të cituar nga ministria e tij të ketë thënë se Turqia “do të vazhdojë të qëndrojë pranë Bakusë në kauzat e saj të drejta”.

“Përgjegjësia për provokimin, përleshjet dhe humbjet i takon udhëheqjes ushtarako-politike të Armenisë,” tha Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit. “Çdo veprim kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Azerbajxhanit do të parandalohet me vendosmëri”.

LUFTA NË KUFI

Kryeministri armen Nikol Pashinyan akuzoi Azerbajxhanin për sulme ndaj qyteteve armene sepse nuk donte të negocionte për statusin e Nagorno-Karabakh, një enklavë e cila është brenda Azerbajxhanit, por e populluar kryesisht nga armenë etnikë.

Ai tha se intensiteti i armiqësive ishte ulur edhe pse sulmet nga Azerbajxhani vazhduan.

Azerbajxhani, i cili akuzoi trupat armene për kryerjen e aktivitetit të inteligjencës dhe lëvizjen e armëve përgjatë kufirit, tha se pozicionet e tij ushtarake u sulmuan nga Armenia. Ai tha se pësoi humbje, por nuk bëri të ditur numrin e viktimave.

Si Rusia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Bakusë dhe Jerevanit të tregojnë përmbajtje.

“Nëse Rusia përpiqet në një farë mënyre të trazojë situatën, të krijojë një shpërqendrim nga Ukraina, është diçka për të cilën jemi gjithmonë të shqetësuar”, u tha gazetarëve Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke shtuar se Rusia gjithashtu mund të përdorë ndikimin e saj për të ndihmuar në “qetësimin e ujërave.”

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se konflikti “duhet të zgjidhet ekskluzivisht përmes mjeteve politike dhe diplomatike”.

Ministrat e mbrojtjes të Azerbajxhanit dhe Rusisë folën të martën dhe ranë dakord të ndërmarrin hapa për të stabilizuar situatën në kufi. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu zhvilloi bisedime me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov dhe i bëri thirrje Armenisë të “ndalojë provokimet e saj”.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, u kërkoi gjithashtu palëve të ulin përshkallëzimin e situatës. Zoti Michel u takua me kryeministrin Pashinyan dhe Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev muajin e kaluar në Bruksel për bisedime mbi normalizimin e marrëdhënieve, çështjet humanitare dhe perspektivën e një traktati paqeje mbi Nagorno-Karabakun.

Përfaqësuesi Special i BE-së Toivo Klaar ishte caktuar të udhëtonte në të dy vendet për të mbështetur përpjekjet për të frenuar dhunën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu